Mes debatesh të ashpra është zhvilluar mbledhja e Këshillit Bashkiak të Pogradecit, me pikën kryesore të rendit të ditës që lidhet me mundësinë e ndryshimit të statusit të kullotave të fshatit Çërravë, për t’i shfrytëzuar si terrene për panele fotovoltaike. Diskutimet mes këshilltarëve u shoqëruan me tone të larta, të cilët e kundërshtuan këtë projekt duke u shprehur se kjo tokë është jetike për blegtorinë e zonës dhe se ndryshimi i statusit të saj do të përbënte shkelje të një sërë ligjesh.
Në sallë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të banorëve të zonës të cilët shprehën hapur qëndrimin e tyre se nuk do të lejojnë kthimin e kullotave në terrene për panelet fotovoltaike. Përfaqësuesi ligjor i tyre paralajmëroi se në rast të miratimit nga Këshilli Bashkiak, do të ndiqen të gjitha hapat ligjorë për të kundërshtuar vendimin.
Sipas përfaqësuesve të Bashkisë Pogradec, dhënia me qira e këtyre tokave për investime në energji diellore do të siguronte të ardhura të konsiderueshme për buxhetin vendor, duke shtuar se kullotat nuk janë të cilësisë më të mirë.
Në mosdakortësi kjo pikë e rendit të ditës u shty për një seancë tjetër ndërsa jashtë sallës së këshillit, një grup banorësh zhvilloi protestë e dytë brenda pak ditëve si shenjë kundërshtimi ndaj nismës.
