Ka nisur sot në Lushnjë kampionati i volejbollit për djem, një aktivitet sportiv që ka mbledhur nxënës nga 18 shkolla 9-vjeçare publike dhe jopublike të bashkisë Lushnjë si “Skënder Libohova”, “4 Dëshmorët”, “Dhimitër Mino” Bubullimë, “Nënshkruesi i Pavarësisë Nebi Sefa” dhe të tjera.

Ky aktivitet organizohet nga Qendra Kulturore e Fëmijëve, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Arsimit Parauniversitar, me mbështetjen e Bashkisë Lushnjë, duke synuar promovimin e sportit dhe jetës së shëndetshme tek të rinjtë, si dhe nxitjen e frymës së garës dhe bashkëpunimit mes nxënësve.

Ndeshjet po zhvillohen në palestrën e shkollës “Foto Puka”, ku që në ditën e parë është vënë re një interes i lartë dhe një atmosferë mjaft entuziaste nga pjesëmarrësit. Sot u zhvilluan tre ndeshjet e para eleminatore, të cilat u karakterizuan nga loja e bukur dhe rivaliteti sportiv mes ekipeve.

Sipas organizatorëve, në dy ditët në vijim do të zhvillohen edhe gjashtë ndeshje të tjera eleminatore, ndërsa më pas do të hidhet shorti për fazën tjetër të kampionatit, ku ekipet më të mira do të vazhdojnë garën drejt finales.

Gjatë gjithë aktivitetit janë marrë masa për mbarëvajtjen dhe sigurinë, ku të pranishëm kanë qenë edhe punonjës të Policisë Bashkiake si dhe të shëndetit publik.

Ky kampionat pritet të zgjasë disa ditë dhe të kulmojë me shpalljen e ekipit fitues, duke i dhënë një tjetër shtysë zhvillimit të sportit në shkollat e Lushnjës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds