Goditja e Rei Manajt që shkundi rrjetën në minutën e fundit të pjesës së parë në ndeshjen Serbi-Shqipëri është me gjasë momenti më sportiv i vitit, që do të mbahet mend gjatë mes ndjekësve të futbollit. Përveçse shënoi fitoren në atë që mund të konsiderohet si një prej përplasjeve më të nxehta sportive të Kombëtares, goli i Manajt i hapi rrugën Shqipërisë për të garuar për herë të parë në fazën e “play-off”-it për një vend në Kampionatin Botëror SHBA-Meksikë-Kanada në vitin 2026. “Goli më i rëndësishëm i jetës,” tha Manaj pas fitores, e cila nxori në festë me mijëra tifozë në rrugët e Tiranës, Prishtinës dhe dhjetra qyteteve të tjera.
Në “play-off” ndodhet edhe Kosova. Kjo e fundit e siguroi vendin pas dy fitoreve surprizë kundër Suedisë dhe fitores jashtë fushe kundër Sllovenisë, një tjetër ekipi ballkanas. Federata më e re në Europë, që iu njoh e drejta për të garuar si ekip kombëtar në garat e UEFA-s e FIFA-s vetëm në vitin 2016, ka ecur shpejt, duke qenë një nga surprizat e eliminatoreve. Ndryshe nga Shqipëria, suksesi i së cilës lidhet kryesisht me lojtarë të rritur jashtë vendit, Kosova ka rritur nivelin e kampionatit vendas me ekipe si Ballkani dhe Drita që kanë arritur kualifikime historike në garat europiane. Kjo e fundit, së bashku me Shkëndijën e Tetovës, janë ende në garë për titullin e Ligës së Konferencës së UEFA-s (Conference League), pasi kaluan fazën e grupeve dhe presin ndeshjet me eliminim të drejtpërdrejtë.
Futbolli i femrave po ashtu arriti rezultate të mira në 2025. Kombëtarja shqiptare për herë të parë mbërriti në fazën “play-off” të kualifikueseve për Europianin dhe doli e para në grupin e saj në Nations League, duke u ngjitur në Ligën B. Kampionati vendas vijon të dominohet nga Vllaznia dhe Megi Doçi, që vijon të thyejë rekorde.
Fitoret në futboll, sporti me më shumë ndjekës, nuk janë të vetmet. Huazimi i atletëve nga Rusia, e përjashtuar prej garave ndërkombëtare për shkak të pushtimit të Ukrainës, e ka vendosur për herë të parë Shqipërinë në podium në mundje. Chermen Valiev u shpall fillimisht kampion Europe në Bratislavë dhe më pas arriti në finalen e Kampionatit Botëror të Mundjes, ku mori medaljen e argjendtë. Ai nuk ishte i vetëm: Zelimkhan Abakarov dhe Islam Dudaev po ashtu u ngjitën në podium. Abakarov siguroi medalje të bronztë në Kampionatin Europian të Mundjes dhe Dudaev dominoi turneun Grand Prix në Spanjë, duke e vendosur Shqipërinë si një fuqi të re botërore në mundje të lirë.
