Kuvendi mblidhet sot në seancë plenar, e dyta kjo në një javë, ndërsa të hënën ishte seanca ku raportuar krerët e institucioneve të drejtësisë në vend si dhe u votua për krijimin e Komisioneve të Posaçme për Reformën Zgjedhore dhe atë Territorial.
Një nga pikat e rendit të Ditës është shqyrtimi i kërkesës së deputetëve të Partisë Demokratike për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, me pretendimin se ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe rregulloren e këtij institucioni.
Seanca për shkarkimin e Peleshit parashikohet të nisë në orën 10:00, ndërkohë që gjatë ditës së sotme Kuvendi do të mblidhet në dy seanca plenare.
Ndërkohë në vijim, në seancën e orës 11:30, në Kuvend do të raportojnë mbi veprimtarinë e vitit 2024, krerët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Avokatit të Popullit, Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Institutit të Statistikave, Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe Radiotelevizionit Shqiptar.
Po ashtu, Kuvendi do të shqyrtojë edhe kërkesat e Partisë Demokratike për ngritjen e dy komisioneve hetimore.
Kuvendi do të diskutojë mbi projektvendimin “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-se, Charles McGonigal”.

Një tjetër pikë e rendit të ditës është projektvendimi “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë të organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025”.

Ndër të tjera, Kuvendi do të miratojë edhe projekt-rezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme, Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *