Ngjarjet e mëdha dhe të rëndësishme për popujt dhe kombet prodhojnë gjithmonë histori, analizë, biseda dhe debat. Rishqyrtimi apo riciklimi i këtyre ngjarjeve mbetet aktual atëherë kur dhe ngjarja rivjen në vëmendjen e popujve në mënyrë ciklike, për shkak të festimit të tyre si të rëndësishme për komunitetin. Të tilla kanë qenë dhe janë dy datat e rëndësishme të historisë moderne për shqiptarët, 28 dhe 29 nëntori. Në rastin e 28 nëntorit, shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, tri janë diskutimet që zhvillohen, pavarësisht se nuk kemi në zotërim privat apo publik subjektet e tyre: çështja e flamurit të pavarësisë, kush e solli apo kush e qëndisi; çështja e dokumentit të pavarësisë, kush e ruajti dhe si humbi; çështja e akteve të plota origjinale të kuvendit të Vlorës, për të cilat s’kemi më gjurmë, që kur i botoi Lef Nosi në vitet pas pavarësisë. Të tria këto elemente, artefakte dhe dokumente, sot nuk i zotëron asnjë institucion i Shqipërisë dhe nuk dihet nëse ndodhen diku, apo duhet t’i konsiderojmë të humbura.
Duke marrë shkas nga një dokument që nuk ka qarkulluar gjerësisht më herët në duart e historianëve apo në sytë e publikut, sjellim këtu një kronikë të origjinës së flamurit të pavarësisë. Por, më parë, pakëz histori.
Studimet e derisotshme na japin katër prejardhje të flamurit që u ngrit pasditen e 28 nëntorit 1912 nga duart e Ismail Qemalit në ballkonin e shtëpisë së Vlorës. Sipas variantit të parë, flamurin e qëndisi apo e stampoi Marigo Pozio dhe, më pas, sipas po atij modeli, prodhoi edhe të tjerë flamuj që u ngritën në ndërtesat e tjera qeveritare. Sipas variantit të dytë, flamurin e pavarësisë e kishte mbajtur tek koka e shtratit Eqrem bej Vlora që prej vitit 1909, kur ia kishte dhuruar Aladro Kastrioti, aventurier që pretendonte se ishte pasardhës i Skënderbeut dhe pretendues i fronit të Shqipërisë më 1914. Këtë flamur e hoqi nga korniza mbi shtrat Amalie von Godin, mikeshë e Eqrem Vlorës në atë kohë. Sipas variantit të tretë flamurin e pavarësisë e solli në Vlorë, prej Amerike dhe përmes Bukureshti, patrioti Spiridon Ilo, një nga firmëtarët e aktit të pavarësisë. [Për këto, shih: Ledia Dushku, “Lef Nosi dhe historia e flamurit të pavarësisë”, në: Studime Historike, nr. 1-2, 2013, fq. 239-246.] Variantin e katërt na e sjell Prof. Frederik Stamati në një artikull botuar më 29 prill 2018 në Shqiptarja.com. Në këtë artikull citohet një reagim i Leonidha Naçit, botuar në gazetën “Vatra” më 2 dhjetor, 1934, i ngjashëm në përmbajtje me atë që sjellim këtu, por krejt telegrafik.
Varianti i historisë së flamurit sipas patriotit Leonidha Naçi, të cilin prezantojmë, gjendet në një dorëshkrim që përmban kujtime të vetë atij. Këto kujtime Naçi i ka shkruar gjatë ose pas vitit 1939, siç e thotë në fletën e parë të tyre, dhe synon të përshkruajë veprimtarinë e tij patriotike prej vitit 1895 deri më 1939. Këtë, siç thotë po ai, e bën që t’ia lërë kujtim të birit, jo për t’u botuar. Kujtimet ruhen në dorëshkrim, në fletë të thjeshta fletoreje, të shkëputura nga njëra-tjetra, shkruar me bojë të zezë. Pasi përshkruan kohën e studimeve, vitet kur jepte mësim në shkolla të ndryshme, burgosjen dhe endjet nëpër Ballkan si mësues e gazetar, përpjekjet për hapjen e një kursi të gjuhës shqipe në Athinë dhe hapjen për pak kohë të një kursi të shqipes në Korfuz, Naçi na informon për çështjen e flamurit (sjellim transkriptimin diplomatik, pa ndërhyrë në tekst):
