Të martën, Prokuroria e Tiranës ka kaluar për kompetencë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dosjen penale në ngarkim të të hetuarve për krijimin dhe bashkëpunimin në skemat mashtruese të mikrokredive. Këto skema kanë zhvatur mijëra qytetarë përmes rifinancimeve me kushte të disfavorshme të kredive të vjetra ose përmes shantazhit, duke i bllokuar pronat e luajtshme dhe të paluajtshme.
Më herët, në muajin prill, prokuroria e kryeqytetit kishte dërguar për hetim në SPAK edhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në lidhje me këtë çështje.
Procedimet e shumta të hetuara për këto zhvatje, të kallëzuara në prokurori që prej vitit 2018, janë bashkuar në një çështje të vetme. Hetimet kanë konkluduar se shoqëritë e përfshira në këtë skemë kanë vepruar si një entitet i vetëm, duke pasur karakteristika të qarta të një grupi kriminal të strukturuar.
Prokuroria ka identifikuar si drejtues të këtij grupi Olsi Ibron, i cili humbi jetën pasi u hodh nga një pallat në muajin korrik, bashkëshorten e tij Elda Ibro dhe Arben Meskutin. Hetimi paraprak i kryer nga prokurorët Antoneta Sevdari, Ndini Tavani dhe Arben Agovi ka evidentuar vlera në dhjetëra milionë euro të përfituara përmes zhvatjes së qytetarëve.
Më 19 korrik, Prokuroria e Tiranës njoftoi sekuestrimin e kuotave dhe aseteve të shoqërive MCA dhe Final. Ndërkohë, në muajin maj, u vendos masa e sigurimit “arrest me burg” ose “arrest shtëpie” për nëntë persona që dyshohet se kanë abuzuar me licencat si kompani mikrokrediti dhe përmbarues gjyqësorë, duke zhvatur qytetarët përmes rifinancimeve me kushte të këqija të kredive të vjetra.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i cili është nën hetim nga SPAK, dyshohet se nuk ka vepruar në kohë për të ndaluar këto abuzime. Në një seancë dëgjimore në parlament, Sejko e konsideroi këtë problem si një çështje ligjore jashtë kompetencës së Bankës së Shqipërisë. Ai sugjeroi që Kuvendi të ndërmarrë ndryshime ligjore për të mbikëqyrur më mirë tregun e përmbaruesve gjyqësorë privatë.
Nga kontrolli i ushtruar mbi shoqëritë e licencuara si institucione financiare jo banka, Micro Credit Albania, MCA dhe Final; shoqëritë përmbarimore FS, ZIG dhe dhe Flashqë drejtoheshin dhe ishin në pronësi të Arben Meskutit; si dhe zyra avokatore ADCA është konstatuar se kanë pasur të njëjtin vend të ushtrimi të aktivitetit; përdornin të njëjtin sistem kompjuterik apo programe kompjuterike, të krijuara në funksion të kryerjes së veprës penale dhe financonin me burime monetare në mënyrë reciproke njëri-tjetrin. Po ashtu, ka rezultuar se punonjësit e tyre kalonin sa në një shoqëri në tjetrën dhe kryenin veprimtarinë e tyre në dukje për mbledhjen e detyrimeve të cilësuara si kredi të këqija.
Nga verifikimet e kryera në ekstraktet historike të këtyre shoqërive në QKB, ka rezultuar se menjëherë sapo MCA e themeluar nga Elda Ibro në vitin 2014, ka blerë portofolin e parë të borxhit të keq, ato janë zhvendosur në të njëjtën qendër. Prokuroria argumenton në kërkesën drejtuar SPAK, se sipas ligjit, shoqëritë përmbarimore nuk duhet të ishin të lidhura me kreditorin, por duhet të jenë të pavarura, duke mbrojtur si interesat e kreditorit ashtu dhe të debitorit, si dhe të mos veprojnë në kushtet e konfliktit të interesit.
Këto rrethana, vlerësohen prej prokurorisë se tregojnë qëllimin e qartë kriminal të të hetuarve për tu pasuruar në mënyrë të paligjshme, në dëm të një numri shumë të lartë qytetarësh. Ata theksojnë se ky qëllim kriminal është ‘kristalizuar’ që në momentin e krijimit të aktivitetit që ka zgjatur më shumë se 9 vjet.
Nga hetimet e zhvilluara deri tanimë, prokuroria thotë se është provuar se duke filluar nga viti 2015, i ndjeri Olsi Ibro e bashkëshortja e tij Elda Ibro; pronari i shoqërisë përmbarimore ZIG, Arben Meskuti dhe vëllai i bashkëjetueses së tij, Indrit Çuberi; ish-përmbaruesi i ZIG, Alban Kote dhe ish-punonjësit e e kësaj shoqërie, Aldo Daka e Albert Gega; të hetuarit Andis Gjoka, Vasil Bakallbashi dhe Roland Deda, të gjithë ortakë apo administratorë të shoqërive tregtare të kallëzuara, janë ndihmuar në veprimtarinë e tyre nga viti viti 2021 e në vijim nga përmbaruesit Fatos Alimadhi, Helidon Xhindi, Lefter Canaj, Rigels Bejko, Endri Myftari, Altin Vako, si dhe kanë bashkëpunuar me eksperten vlerësimit të pasurive të paluajtshme Yliana Sejfo.
Prokuroria e Tiranës vlerëson se këta persona së bashku kanë krijuar një grup të strukturuar kriminal, veprimtaria e të cilit ka pasur si qëllim zhvatjen e pasurisë së qytetarëve të cilët ishin debitorë në vonesë, detyrimet e të cilëve u blenë nga bankat e nivelit të dytë prej shoqërive MCA sh.p.k., në pronësi të Elda Ibros dhe Final sh.p.k, në pronësi të Meskutit.
Skema e zhvatjes së miliona eurove
Hetimet kanë zbuluar se të hetuarit kanë marrë e keqpërdorur jo vetëm të dhënat personale të qytetarëve të dëmtuar, por dhe rrethit të tyre familjar e farefisnor, duke siguruar dhe të dhënat e punësimit dhe të ardhurave të tyre. Sipas prokurorisë, të dhënat personale janë përdorur në kundërshtim me ligjin duke i shtrënguar debitorët përmes shantazhit që të bien në “kurthin” e zhvatjes.
Të hetuarit kanë mundësuar së pari të shumëfishojnë në mënyrë të paligjshme detyrimet e qytetarëve përtej detyrimit të përcaktuar në urdhrat e ekzekutimit. Në vijim, ky detyrim i rritur padrejtësisht, shtohej nga tarifat përmbarimore dhe shpenzimet ligjore të fryra. Pasi realizohej ristrukturimi i të ashtëquajturës kredi, detyrimi shumëfishohej për shkak të aplikimit të interesave dhe kamatave të larta, deri në 2% në ditë. Madje, nëpërmjet ristrukturimit të kredisë, detyrimi kalonte dhe tek familjarë që kishin mundësi pagese.
