Vendparkimet në Lushnjë janë kthyer në një çështje problematike që ka shumë nevojë për ndërhyrje. Fluksi i lartë i mjeteve gjatë stinëve të verës, por jo vetëm sjell probleme në qarkullim për shkak të mungesës së parkimeve.
Ky problem shkaktoi debate në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku ishte pikë e rendit të ditës për t’u diskutuar miratimi i vendqendrimeve të reja për taksitë 4+1, 8+1 dhe autobusëve. Nga Kryetari i Grupit të opozitës Klement Çela dhe këshilltarëve të pozitës e opozitës u kërkua rregullimi i kësaj situate kaotike që bëhet më problematike edhe nga zënia e hapsirave nga makinat që jepen me qera, makinat në shitje, por edhe e atyre makinave që janë jashtë funksioni dhe prej vitesh zenë vendet!
Kërkesës së përsëritur për një parkim nëntokësor në sheshin qendror si e vetmja zgjidhje për qendrën e qytetit, Kryetarja Sefa iu përgjigj, se për momentin nuk ka një sipërfaqe toke shtetërore që ta kthejnë në parkim. Ajo përmendi edhe punën e vakët të Policisë Bashkiake për abuzimet duke thënë se në datën 1 tetor emërohet Drejtori i ri i Policisë Bashkiake.
