Teksasi po përballet me një situatë apokaliptike, pasi u godit nga përmbytje dhe reshje masive shiu. Të paktën 69 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të menjëhershme që përfshiu disa pjesë të Teksasit qendror. Midis viktimave janë 21 fëmijë. Fatkeqësia ndodhi në festën kombëtare të SHBA-së, 4 korrik, ndërsa edhe sot ekipet e shpëtimit po kërkojnë njerëz të zhdukur nën rrënoja dhe baltë. 11 vajza – përfshirë një udhëheqëse grupi – nga kampi i vajzave Camp Mystic, pranë lumit Guadalupe, rezultojnë ende të zhdukura. Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi pak më herët se ka nënshkruar deklaratën që shpall gjendjen e “fatkeqësisë së madhe” në qarkun Kerr në Teksas. Trump shprehet se administrata po vazhdon të punojë ngushtë me udhëheqësit shtetërorë dhe vendorë për të ndihmuar njerëzit e prekur nga fatkeqësia natyrore. Rreth 500 anëtarë të ekipeve të kërkim shpëtimit, të ndihmuar nga 14 helikopterë, janë mobilizuar për të kërkuar të mbijetuar dhe viktima, ndërsa Garda Kombëtare dhe Roja Bregdetare e Teksasit kanë dërguar përforcime. Ndërkohë sipas raportimve të mediave amerikane, qytetarët janë shprehur se mesazhi për evakuim mbërriti pas katastrofës. Sipas autoriteteve, lumi Guadalupe u rrit pothuajse 8 metra të premten në rreth 45 minuta, gjatë të cilave ranë “gati 300 milimetra shi në orë”, një e treta e reshjeve mesatare vjetore në qark. Rreth 850 persona u evakuuan. Përmbytjet e menjëhershme, të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm që toka e tharë nga thatësira nuk mund t’i thithë, nuk janë të rralla. Megjithatë, sipas komunitetit shkencor, ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu i kanë bërë ngjarjet e motit, të tilla si përmbytjet, thatësirat dhe valët e nxehtësisë, më të shpeshta dhe intensive.