Në verën e vitit 2020, pandemia e COVID-19 sapo kishte goditur Shqipërinë dhe frika ishte në kulm. Qeveria premtonte kujdes dhe solidaritet, por prapa skenës zhvilloheshin afera të rënda korrupsioni.
Në emër të emergjencës shëndetësore u ndanë miliona euro pa transparencë. Populli kërkonte ndihmë, ndërsa disa po pasuroheshin.
Sokol Topçiu përfitoi 1.6 milionë euro për të furnizuar me ilaçe 28 ambulanca verore në zonat turistike. Në realitet, furnizoi vetëm 13 ambulanca dhe ato pjesërisht, në masën 50-60%.
Për të tjerat u plotësuan dokumente fiktive, ndërsa ilaçet merreshin nga depot publike ose bliheshin nga pushuesit. Pagesat u kryen paraprakisht, në shkelje të kontratës.
Edhe Blendi Gonxhja, asokohe drejtuesi i DPSHTRR-së, shfaqi etjen e pashuar për tendera. Ai hapi një tender për blerjen e maskave me vlerë 208 milionë lekë të vjetra, me kushte të përcaktuara për 16 muaj.
Maskat mund të bliheshin shumë më lirë, por ai zgjodhi ofertën më të shtrenjtë. Maskat për punonjësit ishte preteksti, por milionat ishin qëllimi.
Këto janë vetëm dy nga shumë shembujt që tregojnë se si pandemia u kthye në një mundësi për të vjedhur. Në vend që të mbroheshin jetët e qytetarëve, u mbushën xhepat e një grushti njerëzish të lidhur me pushtetin.
Tenderat e fryrë, dokumentacioni fiktiv, furnizimet që nuk u bënë kurrë, dhe indiferenca ndaj jetëve njerëzore kjo ishte fytyra e vërtetë e menaxhimit të pandemisë në Shqipëri./ Marrë nga “JOQ Albania“
