Gjoba absurde prej 4 milionë eurosh e Drejtorisë së Tatimeve ndaj “Erjoni shpk” për ndërtimin te “Prestige Resort”, e vendosur 3 vite pas shembjes së hotelit dhe pishinave te resorti turistik në Golem, është gatuar përmes një procesi në shkelje të shumëfishtë të ligjit dhe procedurave të kontrollit tatimor.
I gjithë kalvari i paligjshmërisë dhe parregullsive të këtij kontrolli tatimor e ka burimin dhe frymëzimin tek urdhri politik për goditjen e bizneseve të “Grupit Hysenbelliu”, urdhër i cili ka për qëllim final heshtjen e zërit të fuqishëm të mediave të grupit. “Grupi Hysenbelliu” ka në pronësi televizionin më të madh informativ në vend “News24”, portalin informativ më të madh në vend “BalkanWeb”, gazetën më të madhe në vend “Panorama” dhe gazetën sportive më të madhe në vend “Panorama Sport”.
Ky sukses i “Grupit Hysenbelliu” në botën e madhe të informimit dhe opinionbërjes së lirë i ka tronditur shefat politikë aq sa urdhëruan “kamikazët” e tyre në Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj, përkatësisht Estela Duraj, drejtoreshën dhe Olsi Kuca, inspektorin e kontrollit, të prodhonin një çorbë të qëllimtë antiligjore.
Kontrolli tatimor mbi shoqërinë, i iniciuar paradoksalisht 1 vit pas shembjes së resortit turistik në Qerret, prodhoi gjobën 4 milionë euro, për të cilën “kamikazët” u detyruan të kalonin në një proces paligjshmërie dhe parregullsie, defektet dhe “gafat” e të cilit do të shpjegohen të detajuara si më poshtë:
1. KONTROLL DYVJEÇAR PËRTEJ ÇDO AFATI LIGJOR
Ligji për procedurat tatimore parashikon që çdo kontroll tatimor të zhvillohet brenda një afati të përcaktuar, i cili në rastin konkret është parashikuar 261 orë pune, përkthyer në 32 ditë pune. Zvarritja dhe shtyrja e afateve (teorikisht mund të shtyhet vetëm 15 ditë), por duhet thënë se kjo nuk ka ndodhur në rastin konkret dhe shtyrja e kontrollit realizohet vetëm me miratim nga drejtori i përgjithshëm i Tatimeve. Në rastin e “Erjoni shpk”, kontrolli ka nisur më 7 gusht 2023 dhe është dorëzuar/ përfunduar më 16 shtator 2025, pra, pas gati dy vitesh, pa asnjë vendim zyrtar për shtyrje. Kjo përbën një tejkalim drastik të afatit ligjor. Sipas nenit 108 të Kodit të Procedurës Administrative, çdo akt i dalë jashtë afatit konsiderohet absolutisht i pavlefshëm. Raporti përfundimtar u nënshkrua e u miratua dy vjet pas skadimit të afatit, çka, sipas ekspertëve ligjorë, e bën nul çdo vendim që rrjedh nga ai proces.
2. DREJTUESJA E TATIMEVE PA MANDAT LIGJOR, FIRMOSI PA KOMPETENCË
Një tjetër element i rëndë në gjobën e paligjshme ndaj shoqërisë ka të bëjë me kompetencën e personave që kanë nënshkruar urdhrat dhe aktet tatimore. Sipas dokumenteve, urdhri i kontrollit është nënshkruar nga Elidjana Çelaj, në cilësinë e drejtoreshës së DTM, ndërkohë që sipas Ligjit për Nëpunësin Civil, ajo nuk ka qenë e emëruar ligjërisht në atë detyrë, por ka qenë e komanduar.
Raporti përfundimtar dhe njoftimi i vlerësimit u miratua nga nënshkrua nga Estela Duraj, drejtoresha aktuale, e cila gjithashtu është e komanduar në mënyrë të paqartë dhe jo e emëruar me procedurë të rregullt. Ky fakt përbën shkelje të nenit 22 dhe 107 të Kodit të Procedurave Administrative, ku përcaktohet se një akt administrativ është i ligjshëm vetëm nëse është nxjerrë nga organi publik kompetent dhe i autorizuar. Në mungesë të një emërimi të ligjshëm, çdo vendim është i pavlefshëm. Në praktikë, kjo do të thotë se të gjithë urdhrat, procesverbalet dhe gjobat e firmosura nga persona pa mandat ligjor nuk prodhojnë asnjë efekt juridik.
3. RAPORTI I KONTROLLIT PA NËNSHKRIMET E PLOTA TË INSPEKTORËVE
Në grupin e kontrollit për shoqërinë “Erjoni shpk” janë emëruar fillimisht tre inspektorë: Dorian Boçi, Olsi Kuca dhe Ilmi Kaziu. Por në raportin përfundimtar figuron vetëm një firmë, ajo e Olsi Kucës, ushtarit më të devotshëm për veprime të tilla… Ligji për procedurat tatimore (neni 84) kërkon që raporti i kontrollit të nënshkruhet nga të gjithë pjesëtarët e grupit të inspektimit, përndryshe ai është i pavlefshëm. Kjo shkelje, që në pamje të parë mund të duket formale, në të vërtetë cenon vetë integritetin e kontrollit, pasi e bën të paqartë kush e ka zhvilluar kontrollin dhe kush mban përgjegjësi për rezultatet detyrimet dhe penalitetet.
4. KONTROLLI NUK U PEZULLUA, PAVARËSISHT PROCESEVE GJYQËSORE NË ZHVILLIM
Kontrolli tatimor nga Tatimet VIP ndaj shoqërisë është zhvilluar, ndërkohë që çështja kryesore për gjobëvënien është objekt i hedhur në erë me tritol, i cili është në një proces gjyqësor aktiv dhe për të cilin pritet të shprehet gjykata me vendim. “Erjoni shpk” ka depozituar padi për vendimet e IKMT dhe KKT, që kishin prishur një pjesë të ndërtimeve në pronat e shoqërisë të “Prestige Resort”, Golem, Kavajë. Këto procese gjyqësore kanë ndikim të drejtpërdrejtë mbi vlerësimin tatimor, veçanërisht mbi TVSHnë e kredituar për ndërtimin e objektit, e cila është hequr abuzivisht nga inspektori Olsi Kuca dhe miratuar me urdhër nga drejtoresha Estela Duraj, të cilët në shkelje të hapur vepruan…
Sipas nenit 66 të Kodit të Procedurave Administrative, kur ekziston një çështje paraprake gjyqësore që ndikon në rezultatin e procedurës administrative, organi publik duhet ta pezullojë procedurën deri në përfundimin e gjykimit. DTM, megjithatë, ka vazhduar kontrollin dhe ka marrë vendim, duke marrë në mënyrë absurde rolin e gjykatës. Kjo përbën tejkalim të kompetencës dhe shkelje të drejtpërdrejtë të parimit të ndarjes së pushteteve.
5. LLOGARITJE TË GABUARA DHE INTERPRETIME ME “GAFA” MBI TVSH DHE TATIMIN MBI FITIMIN
Në raportin e kontrollit, administrata tatimore pretendon se “Erjoni shpk” ka fitim të padeklaruar dhe TVSH të papaguar, duke e çuar totalin e detyrimeve me gjoba në 383 milionë lekë ose rreth 4 milionë euro. Këto shifra janë të bazuara në vlerësime të pasakta. Tatimi mbi fitimin është llogaritur mbi të ardhura që janë deklaruar dhe paguar, ndërsa për TVSH, Tatimet kanë vendosur detyrim për një ndërtim që, sipas ligjit, duhet të trajtohej si investim për përdorim të vetë kompanisë, jo si shitje. Në thelb, kontrolli i Tatimeve VIP ka interpretuar gabimisht ligjin tatimor, duke e trajtuar një projekt ndërtimi si burim fitimi të padeklaruar, edhe pse ai nuk ishte as shitur dhe as regjistruar si pasuri për treg.
6. MOSRESPEKTIM I TRANSPARENCËS DHE DOKUMENTIMIT NË SISTEMIN C@TS
Sipas manualit të kontrollit tatimor, çdo hap i procesit duhet të pasqyrohet në sistemin informatik C@TS, për të siguruar gjurmueshmëri dhe transparencë. Në rastin konkret shumë dokumente, procesverbale dhe akte janë futur në sistem me vonesë, madje disa pas përfundimit të afatit ligjor të kontrollit. Kjo nënkupton se veprimet janë kryer pa mbikëqyrje të menjëhershme institucionale dhe për rrjedhojë, pa garanci për ligjshmërinë e tyre. Sipas specialistëve të fushës, kjo praktikë është shkelje e manualit të kontrollit dhe një indikator i mangësisë së procesit administrativ.
7. MUNGESA E PEZULLIMIT TË PROCEDURËS DHE KONFLIKTI I INTERESIT
Inspektori tatimor është vënë në dijeni se çështja që po kontrollonin kishte varësi nga vendime gjyqësore, por ka vijuar misionin e tij “kamikaz”. Në këtë mënyrë, DTM jo vetëm ka shkelur parimin e pezullimit të procedurës, por ka vepruar në konflikt të hapur interesi, duke ndikuar në mënyrë administrative mbi një çështje që ishte në duart e gjykatës.
8. Parimi i ligjshmërisë, i cenuar rëndë Në thelb, ky rast ngre një problem shumë më të gjerë sesa vetë gjoba ndaj “Prestige”. Ai prek parimet themelore të ligjshmërisë dhe sigurisë juridike. Kur një organ administrativ vepron përtej kompetencës së tij, pa respektuar afatet dhe pa garanci për paanësi, cenon besimin e qytetarëve dhe bizneseve në shtetin e së drejtës. Ligji e parashikon qartë: çdo akt i marrë në kundërshtim me kompetencën, procedurën ose formën, është absolutisht i pavlefshëm.
KONKLUZIONE MBI GJOBAT E “KAMIKAZËVE” TATIMORË NDAJ “PRESTIGE”
Rasti i “Erjoni shpk” është simbol i tensionit mes administratës dhe sipërmarrjes në vend, për të cilën shkruhet edhe në raportet e faktorit ndërkombëtar. Kompanitë vendëse dhe të huaja kërkojnë siguri juridike dhe mbrojtje nga arbitrariteti. Situata e përgjithshme dekurajon investitorët e huaj, por edhe vendës të nisin ose të vijojnë investimet në vend. Në rastin e “Prestige Resort, shkeljet e shumta që nga tejkalimi i afateve, mangësitë në nënshkrime, mungesa e kompetencës ligjore e drejtuesve, e deri te mospezullimi i procedurës tregojnë mungesë respektimi të ligjit nga vetë institucionet që duhet ta zbatojnë atë.
Çështja e kontrollit tatimor dhe gjobës politike ndaj “Prestige” nuk është vetëm një debat financiar, por një reflektim mbi mënyrën se si funksionon administrata publike në raport me qytetarët dhe bizneset. Kur procedurat ligjore nuk respektohen dhe kompetencat tejkalohen, ligji humbet forcën e tij garantuese dhe kthehet në instrument presioni. Në këtë kuptim, kjo histori është më shumë sesa një konflikt tatimor, është një test për shtetin ligjor, për llogaridhënien dhe për drejtësinë administrative në Shqipëri. Megjithatë, e vërteta vonon, por nuk harron dhe çdo përgjegjës i paligjshmërive dhe shkeljeve do të përgjigjet para ligjit./ Gazeta Panorama