Është shtyrë seanca në themel për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn dhe 29 persona të tjerë.

Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm dy prokurorët e çështjes, ndërsa vetë Veliaj nuk është paraqitur. Sipas gjykatës, ai ka depozituar një deklaratë ku shpreh dëshirën për t’u përfaqësuar nga avokati i tij, Plarent Ndreca, i cili ndodhet në seancë. Gjithashtu, në seancë mungon edhe Ajola Xoxa, ndërsa përfaqësohet nga mbrojtësit e saj ligjorë.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se i pranishëm në seancë ishte vetëm i pandehuri Elman Abule.

Ndërkohë, Sokol Hazizaj, avokati Fatmir Bektashi dhe shoqëria e tij, kërkoi që të gjykohen me procedurë të shkurtuar. Kjo kërkesë shkaktoi kundërshti te përfaqësuesit e akuzës së SPAK, Altin Dumani dhe Ols Dado.

“Kemi 8 muaj që nuk arrijmë dot të futemi në proces ligjor. Kjo është qartazi një strategji për të zvarritur procesin. E veçuar si kërkesë, kjo e Hazizaj nuk paraqet ndonjë interes për ekonominë gjyqësore, vetëm nëse kërkohet gjykim i shkurtuar.”, tha Dado. Sakaq, Hazizaj tha; “Unë bëra kërkesë fare të thjeshtë edhe për ekonomi gjyqësore, por edhe referuar ligjit. Vlerësoj se jemi në momentin që gjykata të shprehet për ndarjen e çështjes për klientin tim Bektashi.”.

Sakaq, avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, tha se: “Vetë prezenca ime këtu është jo për të shtyrë seancën, por për atë që Kushtetuta parashikon, një proces të rregullt ligjor. Patjetër që jemi për ekonomi gjyqësore, por jo në kurriz të të pandehurve. I bashkohem kërkesës për të shtyrë seancën nga avokati Artan Simoni, i cili mungon sot, se mendoj që duhet të merret parasysh që të jenë të gjithë në seancë. Nuk i bashkohem kërkesës së Sokol Hazizaj, sepse i përket një tjetër momenti procedural”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds