Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, e cila ishte planifikuar të mbahej këtë të mërkurë është shtyrë.
Para hyrjes në mbledhjen e PD, deputeti Gazment Bardhi tha se duhet të pyetet Kuvendi për arsyet e kësaj shtyrjeje. Arsyeja e kësaj shtyrje është se ende nuk është arritur dakordësia për objektin e hetimit të dy komisioneve hetimore.
Kujtojmë se një ditë më parë, në Konferencën e Kryetarëve u arrit dakordësia për Komisionet Hetimore. Mazhoranca u tërhoq nga vendimet e datës 12 Tetor 2023 për rrëzimin e komisionit hetimor për kontratat koncesionare në shëndetësi dhe për komisionin hetimor për ndërhyrjen e paligjshme në sistemin TIMS. Në Konferencën e Kryetarëve u ra dakord që Opozita të ushtrojë të drejtën për ngritjen e Komisioneve Hetimore, duke filluar në këtë sesion parlamentar me ngritjen e dy Komisioneve Hetimore që u rrëzuan më 12 Tetor 2023. U vendos në parim që të ngrihen të dyja komisionet e mësipërme, që ishin edhe shkaku i nisjes së aksionit të opozitës në Kuvend që nga 19 tetori i vitit 2023 e deri më sot. Konferenca e Kryetarëve ka arritur gjithashtu dakortësinë në parim për një tjetër çështje që shkaktoi bllokimin e veprimtarisë normale të Kuvendit, që ishte përfaqësimi me ato që opozita cakton vetë në proceset e Reformave. Palët kanë rënë dakord në parim që Kuvendi të ngrejë një “Nënkomision për Reformat”, që përbëhet nga 4 anëtarë.
