Seanca gjyqsore për procesin e veçuar ndaj Bledar Polovinës dhe Amar Shkëmbit, të përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoji dhe Aleksandër Lahos, është shtyrë ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme. Kjo ngjarje ka ndodhur më 1 nëntor 2019 te mbikalimi i Shkozetit.
Bledar Polovina dhe Amar Shembi po gjykohen të ndarë pjesa tjetër e dosjes, në këtë proces gjyqsorë. Bledar Polovina vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar, ndërsa gjykata ka bërë thirrjen ndaj tij përmes shpalljes publike, si edhe në adresën e tij të banimit. Gjithashtu është marrë informacion edhe nga Interpol Tirana.
Bazuar në shkresën e mbërritur nga Interpoli, Polovina është lokalizuar në SHBA. Në lidhje me këtë autoritetet shqiptare u kanë dërguar autoriteteve amerikane, kërkesën për ekstradim e tij.
SPAK ka kërkuar që procesi të vijojë në mungesë të Bledar Polovinës. Bëhet me dije se Polovina ka paraqitur kërkesë për gjykim të shkurtuar, përmes një email-i dërguar avokatit të tij, Sajmir Visha. Por, gjykata nuk e ka pranuar kërkesën e tij, me argumentimin se ajo nuk është paraqitur në formën e parashikuar nga ligji.
Ndërsa, avokati i Amar Shembit ka kërkuar kohë për t’u njohur me aktet e dosjes, pasi është zgjedhur mbrojtës vetëm një ditë më parë. Në lidhe me këtë, trupa gjykuese vendosi shtyrjen e seancës për datën 11 mars, në orën 11:00.
