Rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare ishte e pashmangshme që të transmetohej edhe në Shqipëri.
Në një ekonomi të vogël, të hapur dhe thellësisht të varur nga importet energjetike, çdo luhatje globale përkthehet pothuajse mekanikisht në faturën që paguan qytetari në pompën e karburantit.
Megjithatë, debati publik që pasoi këtë rritje nxori në pah një realitet shumë më të thellë se vetë dinamika e tregjeve ndërkombëtare: mënyrën sesi strukturohet dhe vilet taksa e qarkullimit në Shqipëri.
Ndryshe nga modeli klasik, ku kjo taksë paguhet në mënyrë periodike për çdo mjet, në vendin tonë ajo është e përfshirë – dhe në një farë mënyre e “maskuar” – në çmimin e karburantit, duke u paguar për çdo litër të konsumuar. Kjo zgjidhje, në pamje të parë pragmatike për administratën fiskale, krijon në thelb një deformim të rëndësishëm ekonomik dhe social.
Sepse pikërisht kjo shtesë – larg të qenit e papërfillshme – është një nga arsyet pse çmimi i karburantit në Shqipëri renditet ndër më të lartët, jo vetëm në terma absolutë, por sidomos në raport me të ardhurat për frymë. Dhe këtu qëndron thelbi i problemit: barra fiskale nuk duhet të gjykohet vetëm nga madhësia nominale, por nga pesha reale që ushtron mbi qytetarin.
Qeveria e ka justifikuar këtë model me një logjikë të thjeshtë: “paguan më shumë ai që përdor më shumë rrugën”. Në teori, kjo duket një parim i drejtë. Në praktikë, realiteti është shumë më kompleks.
Taksa e qarkullimit, siç është konceptuar historikisht në vendet perëndimore – prej nga është huazuar edhe në Shqipëri – nuk është thjesht një instrument fiskal, por edhe një mekanizëm me funksion social. Ajo ndërtohet mbi diferencimin: mbi fuqinë motorike, mbi nivelin e emetimeve, mbi klasën e luksit të automjetit. Një automjet i segmentit të lartë, me cilindratë të madhe dhe karakteristika luksoze, paguan ndjeshëm më shumë se një makinë e vogël qyteti. Po kështu, mjetet e punës trajtohen në mënyrë të veçantë, duke reflektuar funksionin e tyre ekonomik dhe jo luksin.
Ky diferencim nuk është rastësor; ai është shprehje e një parimi të drejtësisë fiskale: kush ka më shumë, kontribuon më shumë.
Shqipëria jo vetëm që e ka njohur këtë model, por e ka zbatuar atë deri në vitin 2012. Institucionet ekzistojnë ende, regjistrat janë të saktë, klasifikimet janë të qarta. Pra, infrastruktura administrative për një sistem më të drejtë është tashmë e pranishme.
Në këtë kontekst, këmbëngulja për të mbajtur taksën e qarkullimit të fshehur brenda çmimit të karburantit – dhe në nivelet aktuale – nuk duket më si një zgjedhje teknike, por si një devijim nga parimet bazë të drejtësisë fiskale.
Sepse ky model ka një efekt të qartë regresiv: ai godet më fort pikërisht ata që kanë më pak.
Për një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve shqiptarë, automjeti nuk është një luks, por një domosdoshmëri. Mungesa e një transporti publik funksional, sidomos jashtë Tiranës, e bën mjetin personal një mjet jetese. Punonjës që udhëtojnë çdo ditë për në punë, sipërmarrës të vegjël që transportojnë mallra, familje në zona periferike – të gjithë këta paguajnë proporcionalisht më shumë, jo sepse kanë më shumë, por sepse nuk kanë alternativë.
Në këtë mënyrë, taksa që në teori duhej të ishte neutrale, në praktikë bëhet sociale – por në drejtimin e gabuar: nga të dobëtit drejt sistemit.
Qeveria, natyrisht, ka të drejtën të ndërtojë politika fiskale sipas vizionit të saj. Por ajo nuk ka monopolin e të drejtësisë. Çdo vendim fiskal prodhon pasoja të matshme: krijon fitues dhe humbës. Dhe kur këto pasoja janë të parashikueshme – si në këtë rast – atëherë këmbëngulja në një model të padrejtë ngre pikëpyetje jo vetëm mbi racionalitetin ekonomik, por edhe mbi ndjeshmërinë sociale.
Sepse një politikë fiskale mund të jetë e ligjshme, por kjo nuk e bën domosdoshmërisht të drejtë.
Dhe në fund, një paradoks që meriton vëmendje: Shqipëria ka zgjedhur, me të drejtë, të favorizojë automjetet elektrike, duke i përjashtuar nga TVSH-ja. Por këto mjete – që gjithashtu përdorin rrugët – nuk konsumojnë karburant dhe, rrjedhimisht, nuk kontribuojnë në këtë formë të taksës së qarkullimit.
Pyetja është e thjeshtë: a kemi ndërtuar një sistem që jo vetëm është i padrejtë për disa, por edhe i paplotë për të gjithë?
Sepse ndonjëherë, ajo që nuk duket në faturë, është pikërisht ajo që rëndon më shumë. /Monitor
