Shtëpia e Bardhë ka shkarkuar nga detyra drejtoreshën e Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), Susan Monarez, pasi ajo refuzoi të jepte dorëheqjen të mërkurën. Në një deklaratë, thuhej se ajo “nuk ishte në përputhje me axhendën e presidentit” dhe ishte shkarkuar nga pozicioni i saj në agjencinë shëndetësore.

Departamenti i shëndetësisë i SHBA-së njoftoi më parë largimin e saj, gjë që nxiti një deklaratë nga avokatët e Dr. Monarez, të cilët thanë se ajo nuk ishte njoftuar për shkarkimin e saj dhe se nuk do të jepte dorëheqjen.

Ata thanë se ajo po shënjestrohej për shkak se refuzonte “të miratonte direktiva joshkencore dhe të pamatura dhe të shkarkonte ekspertë të përkushtuar shëndetësorë” dhe akuzuan Sekretarin e Shëndetësisë Robert F Kennedy Jr për “armatosjen e shëndetit publik”.

“Siç e bën të qartë deklarata e avokatit të saj, Susan Monarez nuk është në përputhje me axhendën e presidentit”, tha Shtëpia e Bardhë më vonë të mërkurën, duke shtuar se ajo ishte shkarkuar nga pozicioni i saj si drejtoreshë.

Një shkencëtare e qeverisë federale me përvojë të gjatë, Dr. Monarez u nominua nga Presidenti Donald Trump për të udhëhequr CDC-në dhe u konfirmua në një votim të Senatit përgjatë vijave partiake në korrik. Nominimi i saj pasoi tërheqjen e Trump nga zgjedhja e tij e parë, ish-kongresmenit republikan Dave Weldon, i cili ishte kritikuar ashpër për pikëpamjet e tij mbi vaksinat dhe autizmin.

Pothuajse menjëherë pasi largimi i Dr. Monarez u njoftua për herë të parë nga departamenti i shëndetësisë, të paktën tre drejtues të lartë të CDC dhanë dorëheqjen nga agjencia, shkruan BBC. Midis tyre ishte Kryemjekja Debra Houry, e cila paralajmëroi për “rritjen e dezinformatave” rreth vaksinave në një letër të parë nga partneri amerikan i BBC-së, CBS News. Ajo gjithashtu argumentoi kundër shkurtimeve të planifikuara në buxhetin e agjencisë.

Daniel Jernigan, i cili drejtoi Qendrën Kombëtare për Sëmundjet Infektive në Zhvillim dhe Zoonotike, gjithashtu hoqi dorë duke përmendur kontekstin aktual në departament. Kreu i Qendrës Kombëtare për Imunizimin dhe Sëmundjet Respiratore, Demetre Daskalakis, tha gjithashtu se nuk ishte më në gjendje të shërbente për shkak të përdorimit të vazhdueshëm të shëndetit publik si armë.

Ka gjithashtu raportime, se Dr. Jennifer Layden, drejtoreshë e Zyrës së të Dhënave të Shëndetit Publik, Mbikëqyrjes dhe Teknologjisë, ka dhënë dorëheqjen gjithashtu. Eksodi vjen ndërsa ekspertët e shëndetit shprehin shqetësim për qasjen e agjencisë ndaj imunizimeve nën udhëheqjen e Kenedit, një skeptik ndaj vaksinave.

Më herët të mërkurën, Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi vaksinat e reja kundër Covid, duke kufizuar se kush mund t’i marrë ato. Vaksinat do të jenë të disponueshme për të gjithë të moshuarit, por të rriturit më të rinj dhe fëmijët pa probleme shëndetësore do të përjashtohen.

Dr. Monarez ishte drejtoresha e parë e CDC-së në 50 vjet që nuk kishte diplomë mjekësore. Përvoja e saj është në kërkimin e sëmundjeve infektive. Gjatë muajit të saj si drejtuese e CDC-së, ajo ndihmoi në ngushëllimin e punonjësve të agjencisë pasi selia e CDC-së në Atlanta u sulmua nga një person i armatosur i cili besonte se ishte dëmtuar nga vaksinat kundër Covid-it. Sulmi, në të cilin qindra plumba goditën ndërtesën, vrau një oficer policie.

Më herët këtë muaj, punonjës aktualë dhe ish-punonjës të agjencisë shkruan një letër të hapur duke e akuzuar Kennedyn për nxitje të dhunës ndaj punonjësve të kujdesit shëndetësor me retorikën e tij antivaksinë. Largimi i Dr. Monarez vjen rreth një javë pasi një sindikatë që përfaqësonte punonjësit e CDC njoftoi se kishte pushuar nga puna rreth 600 punonjës.Shkurtimet e gjera përfshinin punonjës që punonin në reagimin e qeverisë ndaj sëmundjeve infektive, përfshirë gripin e shpendëve, si dhe ata që studionin rreziqet mjedisore dhe trajtonin kërkesat për të dhëna publike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *