Shkëndija e Tetovës ka bërë historinë duke kaluar në turin e tretë të Ligës së Kampioneve. Dhe duke e bërë një gjë të tillë, ka arritur një rezultat historik për të dhe tjetër për futbollin në Maqedoninë e Veriut pas Vardarit.
Kuqezinjtë e Tetovës, falë mbrëmjes magjikë në Bukuresht, siguruan kalimin në një tjetër tur në Ligën e Kampioneve dhe në rastin më të keq, kalojnë në play-off të Ligës së Europës. Edhe aty, nëse eliminohen, do të kenë të sigurt të paktën fazën në grupe të Ligës së Konferencës, me të ardhura të shkëlqyera për këtë klub e padyshim edhe shikueshmëri të madhe për lojtarët. Kjo, në versionin më të keq të mundshëm, pasi rrugëtimi i Shkëndijës në Champions vazhdon dhe mund të dhurojë surpriza të tjera.
Kjo është një arritje historike për futbollin në Maqedoninë e Veriut, pasi pas kaq vitesh, një klub nga ky shtet do të përfaqësohet në fazën në grupe të një kompeticioni të UEFA-s. Dhe ashtu siç pritej, ishte një klub shqiptar.