Censusi i shpendëve ujor dimërues në Shqipëri, pjesë e Censusit Ndërkombëtar, zhvilluar më 13-14 janar u zhvillua në 33 ligatina të Shqipërisë dhe në të u përfshinë 91 specialistë të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura së bashku me 11 ekspertë të shpendëve, pjesë e organizatave joqeveritare.
Në 38 vendet e numërimit të shpendëve ujor dimërues në Liqenin e Shkodrës, atë të Vaut të Dejës, Lumit Buna si dhe Lagunën e Velipojës, sipas ekspertit të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura në Rajonin e Shkodrës, Tonin Macaj, u vërejt një rënie e ndjeshme e numrit të shpendëve ujor dimërues, ç’ka dëshmon edhe për shëndetin e këtyre zonave.
Gjatë 80 viteve të fundit, në Shqipëri ka patur ndërhyrje të vazhdueshme në ligatinat, që janë edhe zonat me ekosistemet natyrore më të rralla dhe më të pasura përsa i përket pasurisë biologjike.
Vitet e fundit, këto zona po kërcënohen edhe nga prirja për urbanizimin e tyre.
Në muajin nëntor, 12 deputetë i paraqitën Kuvendit disa ndryshime në ligjin për zonat e mbrojtura në Shqipëri, për t’u dhënë të drejtën bashkive që të menaxhojnë rreth 20 përqind të këtyre zonave. Kjo ka ndeshur në kundërshtimin e grupimit të shoqatave mjedisore, pasi ndryshimet i hapin rrugë urbanizimit të këtyre zonave, duke dëmtuar më tej biodiversitetin e zonave të mbrojtura, si një pasuri kombëtare.
Drejtuesi i shoqatës ornitologjike të Shqipërisë, Taulant Bino, thotë se ekspertët mjedisorë shpresojnë të dëgjohet zëri i tyre, në mënyrë që këto ndryshime të mos miratohen dhe që të mos cënohen zonat e mbrojtura në Shqipëri.
[lazy-load-videos-and-sticky-control id=”uvIKYLA0jeg”]
