Banka Europiane për Rindërtimin dhe Zhvillimin miratoi një kredi prej 30 milionë eurosh për Shqipërinë. Kredia është dhënë për Hekurudhën Shqiptare dhe së bashku me 60 milionë eurot e tjera që janë dhënë nga Banka Europiane e Investimeve dhe grantet e BE-së do të përdoret për rindërtimin e sistemit hekurudhor shqiptar.
Kredia e fundit e miratuar nga BERZH do të përdoret për rehabilitimin dhe elektrifikimin e 34 kilometrave hekurudhë që lidh Durrësin me qytetin e Rrogozhinës, si dhe ndërtimin e stacioneve të kësaj linje.
BERZH thotë se ky projekt është kritik për përpjekjet e Shqipërisë që të modernizojë sistemin e saj hekurudhor dhe të përmirësojë ndërlidhjen rajonale sipas standardeve të BE.
Linja Durrës-Rrogozhinë është pjesë e korridorit 8, një projekt pan europian me gjatësi 1500 kilometra rrugë dhe hekurudha që do të lidhë portin e Durrësit me portet bullgare në Detin e Zi.
Mbështetja me 30 milionë euro për këtë hekurudhë është e treta që ofron BERZh për Shqipërinë, pas përfshirjes së bankës dhe në projektin Tiranë-Rinas-Durrës dhe Vorë-Hani i Hotit.