“Shqipëria kundër shpopullimit” është lëvizje e shoqërisë civile dhe e nisi rrugëtimin e saj nga qyteti i Lushnjës. Takimi u shoqërua me argumentet e ndërthurura mes panelit të folësve që shoqëronte lëvizjen të cilët ishin diplomatja Edith Harxhi, aktivisti Aulon Kalaja, avokati Altin Goxhaj, regjisori Kastriot Çipi, eksperti i sigurisë Endrit Reka, politologu Shpend Gashi dhe qytetarëve të Lushnjës që morën pjesë në këtë takim. Sipas INSTAT që nga viti 2013-2023 Shqipëria humb popullsinë e një qyteti çdo vit.
“Shqipëria kundër shpopullimit” është lëvizje patriotike dhe jo parti politike, me misionin për t’i njohur shqiptarët me faktet që është axhendë e qeverisë shpopullimi i Shqipërisë. Zgjodhëm Lushnjën për faktin se këtu u mbajt Kongresi që krijoi shtetin shqiptar, thotë aktivisti Aulon Kalaja.
Zoti Kalaja shpjegoi se pasi të kemi bërë takime në të gjithë Shqipërinë bashkë me qytetarët që po i përgjigjen thirrjes sonë, do të zhvillojmë në vitin 2024 Konventën Kombëtare të Tiranës. Gjithashtu po hartojmë një rezolutë që do ia vendosim politikës në dorë, tha ai.
