Shqipëria shënoi përparim, me një pikë krahasuar me vitin që shkoi në raportin e ri vjetor të organizatës Freedom House për Lirinë në Botë, duke mbërritur tashmë në nivelin e 69 pikëve, më shumë se çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimor.
Pas vendit renditen më radhë Mali i Zi me 68 pikë, Maqedonia e Veriut me 67, Kosova gjithashtu ka përparuar me një pikë duke mbërritur në 61 e Bosnja e Hercegovina me 54 pikë, teksa Serbia renditet e fundit në rajon me 53 pikë. Shqipëria ka një histori zgjedhjesh konkurruese, edhe pse partitë politike janë mjaft të polarizuara dhe shpesh organizohen rreth figurave kryesore, theksohet në raport.
Liria fetare dhe ajo e tubimit respektohen në përgjithësi. Edhe pse korrupsioni dhe mitmarrja mbeten shqetësuese, qeveria po punon për të luftuar korrupsionin në sistemin gjyqësor, nënvizohet më tej. Në tërësi, rezultati shihet si dëshmi e faktit që përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit e pavarësinë e gjyqësorit kanë dhënë rezultate konkrete.
Shqipëria është vlerësuar shpesh si një nga vendet me renditjen më të mirë në rajonin e Ballkanit Perëndimor për sa i përket të drejtave politike dhe lirive civile. Raporti i këtij viti mbulon zhvillimet nga 1 janari 2025 deri më 31 dhjetor 2025. Freedom House vlerëson në hulumtimin e saj zhvillimet në 195 vende dhe 13 territore në mbarë botën, duke analizuar të drejtat politike dhe liritë qytetare.
Sot, vetëm 21 për qind e popullsisë së botës jeton në vende të vlerësuara si të lira, një rënie nga 46 për qind që ishte para dy dekadash, thuhet në raport.
