Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiri, prezantoi sot projektligjin e ri “Për sigurimet dhe risigurimet”, që ka si qëllim përmirësimin e legjislacionit në fuqi dhe përafrimin me standardet dhe direktivat evropiane me qëllim menaxhimin më të mirë të rreziqeve që lidhen me operacionet e shoqërive të sigurimeve.

Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj bëri të ditur se ky projektligj synon të forcojë stabilitetin e tregut të sigurimeve, të rrisë transparencën dhe të mbrojë interesat e konsumatorëve.

Sipas projektligjit, shoqëritë e sigurimit duhet të kenë një sistem të qartë për të identifikuar dhe menaxhuar rreziqet, përfshirë rreziqet financiare, operative dhe ato nga risigurimi.

Sistemi duhet të dokumentohet dhe të përditësohet vazhdimisht, duke përfshirë edhe vetëvlerësimin e rrezikut dhe aftësinë për të paguar dëmet (ORSA).

Aksionarët, anëtarët e bordit dhe funksionarët kryesorë do të vlerësohen sipas aftësive, integritetit dhe aftësive financiare. Ligji parashikon gjithashtu funksionet e menaxhimit të rrezikut dhe të pajtueshmërisë, si dhe përgjegjësinë e bordit për miratimin e politikave të shpërblimit.

Sipas ndryshimeve të propozuara, konsumatorët do të marrin informacion të qartë dhe të kuptueshëm për produktet e sigurimit. Kontratat mund të nënshkruhen edhe online ose me mjete elektronike, nëse klienti ka konfirmuar se e ka kuptuar të gjithë informacionin.

Projektligji rregullon marrëdhëniet mes shoqërive që janë pjesë e të njëjtit grup sigurimi dhe siguron që çdo shoqëri ka kapital të mjaftueshëm dhe nuk përdoret dy herë në llogaritjen e fondeve të nevojshme.

Në rastet kur një shoqëri ka probleme, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare mund të emërojë një administrator të përkohshëm. Gjithashtu, ligji parashikon dy mënyra për prishjen e shoqërisë: likuidim vullnetar (me kërkesë të shoqërisë) dhe likuidim të detyrueshëm (kur shoqëria nuk mund të përmbushë detyrimet).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *