Katër civilë u vranë dhe katër të tjerë u plagosën në Afganistan pas një shkëmbimi zjarri që ndodhi në një zonë kufitare me Pakistanin. Kështu deklaroi Guvernatori i provincës Spin Boldak të Afganistanit, Abdul Karim Jahand. Autoritetet talebane në Afganistan dhe qeveria pakistaneze akuzuan njëra-tjetrën të premten për hapjen e zjarrit në një zonë kufitare.

Situata vijon të mbetet shqetësuese mes vendeve, ndërsa pasojat rëndojnë më shumë mbi civilët. Përleshje kanë shpërthyer vazhdimisht mes dy vendeve muajt e fundit, ndërsa qeveria e Talibanëve në Afganistan ka akuzuar gjithashtu Pakistanin se ka kryer sulme ajrore brenda territorit të tyre.

Të dyja palët kanë konfirmuar se kanë shkëmbyer zjarr gjatë natës, por secila ka fajësuar tjetrën për nisjen e katër orëve luftimesh. Mosharraf Zaidi, zëdhënës i Kryeministrit pakistanez Shehbaz Sharif, akuzoi Talibanët për të shtëna të paprovokuara.

“Një reagim i menjëhershëm, i ashpër dhe intensiv u është dhënë nga forcat tona të armatosura. Pakistani mbetet plotësisht i gatshëm dhe i përkushtuar për të garantuar integritetin e tij territorial dhe sigurinë e qytetarëve tanë,” thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, një zëdhënës i Talibanëve tha se Pakistani sërish ka nisur sulmet dhe se ata janë detyruar të përgjigjen. Pamjet nga zona tregonin një numër të madh afganësh që largoheshin në këmbë dhe me automjete, ndërsa njerëzit në qytetet fqinje po ashtu po iknin nga frika se luftimet mund të përhapeshin.

Përleshjet e natës erdhën më pak se dy muaj pasi të dy palët ranë dakord për një armëpushim të ndërmjetësuar nga Katari dhe Turqia. Ai armëpushim i dha fund luftimeve më të ashpra mes Pakistanit dhe Talibanëve që nga rikthimi i grupit në pushtet në vitin 2021, megjithëse tensionet kanë mbetur të larta.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *