Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen ndaj ish-kryetarit të bashkisë Memaliaj

Në njoftimin zyrtar, SPAK sqaron se ish-Kryetari i Bashkisë Memaliaj, akuzohet për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu e akuzuar për të njëjtën vepër penale është edhe ish-nënkryetarja Bashkisë së Memaliaj, Edmonda Harizi dhe Feta Hoxha ish-drejtor i shërbimeve publike pranë bashkisë Memaliaj.

Njoftimi i plotë;

SPAK dërgon në gjykim çështjen ndaj ish-Kryetarit të Bashkisë Memaliaj

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 216/1 të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve:

-Gjolek Guci, ish-Kryetar i Bashkisë Memaliaj, i akuzuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal (përpara ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021, datë 23.03.2021);

-Edmonda Harizi, ish-Nënkryetare e Bashkisë Memaliaj, e akuzuar për të njëjtën vepër penale;

-Feta Hoxha, ish-Drejtor i Shërbimeve Publike pranë Bashkisë Memaliaj, i akuzuar për të njëjtën vepër penale;

-Bersant Ylli, administrator i subjektit “Bersant Ylli”, i akuzuar për të njëjtën vepër penale.

Hetimet kanë nisur mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit më 28.10.2024. Për këtë qëllim, më datë 04.11.2024 është regjistruar procedimi penal për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Objekt i hetimit ka qenë procedura e prokurimit “Ndërtimi i Ujësjellësit Rajonal për fshatrat Vasjar, Iliras, Qesarat, Anë-Vjosë, Toç, Lulëzim, Zhulaj, Krahës dhe qytetin Memaliaj”, e vitit 2021, me autoritet kontraktor Bashkinë Memaliaj.

Nga hetimet ka rezultuar se Kryetari i Bashkisë Memaliaj, shtetasi Gjolek Guci, më 21 shtator të vitit 2020 ka nënshkruar kontratën e dhurimit me nr. 658/1 Prot., me operatorin ekonomik “Artreum Generation” sh.p.k., të përfaqësuar nga administratori A.Sh. Ndërsa projekti për zbatimin e ndërtimit të ujësjellësit rajonal është miratuar nga Kryetari i Bashkisë Memaliaj.

Fondi për objektin, në vlerën mbi 493 milionë lekë (493.183.572), ishte ndarë në zëra për ndërtim, montim, drejtimin dhe kolaudimin e punimeve. Vlera e miratuar ishte e njëjtë me vlerën e kostove në projektin e dhuruar nga shoqëria “Artreum Generation”, nënkontraktore e njërës prej kompanive fituese të tenderit.

Pas analizës së dokumentacionit të procedurës së prokurimit, është konstatuar se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shtetasit Edmonda Harizi, Feta Hoxha, Bersant Ylli dhe titullari i autoritetit kontraktor (Bashkia e Memaliajt), shtetasi Gjolek Guci, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për operatorë të tretë, duke kualifikuar dhe shpallur fitues bashkimin e operatorëve ekonomikë “KEG” sh.p.k. & “ED Konstruksion” sh.p.k., të cilët kishin mangësi në dokumentacionin e paraqitur, veçanërisht në kriteret për kapacitetin teknik.

Gjithashtu, është pranuar nënkontraktimi me operatorin ekonomik “Artreum Generation” sh.p.k., i cili ndodhej në kushtet e konfliktit të interesit, pasi kishte dhuruar projektin dhe kishte hartuar specifikimet teknike dhe nuk plotësonte kriteret ligjore për nënkontraktor.

Në datë 28.01.2026, është vendosur ndarja e procedimit penal nr. 216 në procedimin penal 216/1, për hetime të mëtejshme lidhur me zbatimin e kontratës, për të cilën kërkohet kryerja e veprimeve hetimore të mëtejshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds