Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku u paraqit sot për herë të parë në GJKKO, pasi kjo e fundit e pezulloi nga detyra dhe i bllokoi pasaportën. Balluku, u paraqit në ambientet e SPAK rreth orës 9:10 dhe doli prej aty pas gati 40 minutash. Ish-zyrtarja e lartë, vendosi që të mos bënte asnjë koment për mediat, as në hyrje dhe as në dalje, ndonëse gazetarët tentuan që t’i merrnin asaj një prononcim.

E heshtur, nën shoqërinë e shoqëruesit të saj, Balluku la ambientet e GJKKO, ndërkohë që dy avokatët e saj, e motra, Pamela Qirko dhe Ardian Kalia, qëndruan, për t’u njohur me aktet e dosjes. Ndaj edhe për këtë shkak gjykata vendosi që të shtynte seancën për 2 orë, duke iu lënë më shumë kohë avokatëve të zonjës Balluku, por dhe të vartësve të saj.

Belinda Balluku është rikthyer sërish në GJKKO, pasi seanca u ndërpre për gati 2 orë. Ishin avokatët e saj dhe të dy zyrtarëve të tjerë ata që kërkuan më shumë kohë për tu njohur me aktet e dosjes.

Balluku ka përforcuar ekipin e saj ligjor për tu mbrojtur. Krahas motrës së saj, Pamela Qirko, ekipit të saj iu është shtuar edhe Ardian Kalia, i cili më herët ka ushtruar detyrën e gjyqtarit.

Në GJKKO janë paraqitur edhe kreu i KESH, Erald Elezi dhe ai i ARRSH, Gentian Gjyli. Gjykata e Posaçme ka lëshuar dy masa sigurie “arrest në shtëpie” për dy vartësit e Ballukut. Ndërsa për zv.kryeministres, gjykata vendosi ndalim daljeje jashtë vendit si dhe pezullim nga detyra e zëvendës kryeministres dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. 

Balluku u pezullua nga detyra pasi u mor e pandehur për tenderin më vlerë 190 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, akuzë që i është komunikuar zyrtarisht dhe dyshohet edhe për tenderin 20 milionë euro të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.

Për të dy tenderët, me vlerë 210 milionë euro, sipas SPAK, Balluku ka paracaktuar fituesin përmes mbikëqyrjes dhe ndërhyrjes gjatë gjithë procesit të zhvillimit të garës. Çështja për Ballukun ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese, ndërsa asaj i është hequr e drejta e firmës nga qeveria.

Deri më tani nuk dihet se çfarë ka dëshmuar Balluku, por dhe dy zyrtarët e tjerë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *