Policia në Gjirokastër ka shkatërruar një grup, që merrej me trafikim të lëndëve narkotike.
Sipas uniformave blu, këto persona vepronin si një grup dhe shisnin kokainë e kanabis në Gjirokastër, Përmet dhe në Këlcyrë. Droga sigurohej nga dy vëllezër, ndërsa dyshohej se shpërndahej nga tre të tjerë. Policia sekuestroi në total 3.5 kg lëndë narkotike.
“DVP Gjirokastër/Finalizohet pas disa javësh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “One by one”.
Të organizuar si grup siguronin lëndë narkotike kokainë dhe cannabis sativa, si dhe i shitnin në doza, në Gjirokastër, Përmet dhe në Këlcyrë, vihen në pranga 5 shtetas.
2 prej tyre (vëllezër) posedonin në banesë, 3.5 kg lëndë narkotike cannabis sativa, ndërsa 3 të tjerët u kapën në flagrancë me doza të lëndëve narkotike dhe me shuma parash të fituara nga shitja e tyre.
Sekuestrohen doza të lëndëve kokainë dhe cannabis sativa, rreth 3.5 kg cannabis sativa, 37 900 lekë dhe 2 automjete.