Shira të rëndë shkaktuan përmbytje shkatërruese në jug të Tajlandës, duke lënë qytetin turistik Hat Yai të zhytur nga uji deri në bel dhe duke nxitur qeverinë të shpallë gjendje emergjence në provincën Songkhla të martën. Qyteti Hat Yai, një qendër biznesi në kufi me Malajzinë, ka regjistruar sipas BBC-së nivelin më të lartë të reshjeve në 300 vjet -që është 335 mm në një ditë të vetme.
33 të vdekur e mbi 130 mijë të zhvendosur është deri tani bilanci i reshjeve masive të shiut dhe përmbytjeve rekord që kanë goditur pjesë të Tajlandës, duke detyruar autoritetet të dërgojnë anije ushtarake dhe helikopterë për të mbështetur përpjekjet e ndihmës. Vërshimi i ujrave ka përfshirë dhjetë provinca në të gjithë jugun e vendit. Pamjet tronditëse nga Tajlanda tregojnë automjete dhe shtëpi të zhytura në ujë, me banorët e dëshpëruar që presin shpëtim në çatitë e tyre.
Shirat e pandërprera kanë gjunjëzuar edhe vendet fqinje. Në Vietnam, numri i të vdekurve është rritur në 98 brenda një jave, ndërsa në Malajzi, më shumë se 19,000 njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Shirat e rrëmbyer sezonalë janë të zakonshëm në këtë kohë të vitit në Azinë Juglindore, por rrallëherë janë regjistruar në rajon nivele përmbytjesh si këtë vit.

