Gjykata e Posaçme ka vendosur të zëvendësojë masat e sigurisë së “Arrestit në Shtëpi” për 4 prej të pandehurve të dosjes “Bankers”.

Konkretisht, për Leonidha Çobon, Hong Ping Xiao, Ardit Kero dhe Lianyi Wang u vendos masa e sigurisë ndalim i daljes jashtë vendit dhe detyrim për t’u paraqitur.

Kërkesa për zëvendësimin e masave të sigurisë u kërkua nga vetë dy prokurorët e posaçëm Enkelejda Millonai dhe Anita Jella për shkak se i ka kaluar afati 9 mujor i paraburgimit, ndërkohë që vetë avokatët kërkuan shuarjen totale te masës.

Në këtë dosje janë disa të pandehur të tjerë që po hetohen pa masë sigurie në gjendje të lirë.

Mbi këta 4 persona rendojnë akuzat “Krijim i skemave mashtruese lidhur me TVSH-në”, “Fshehje e të ardhurave”, “Pastrim i produkteve të veprës penale”, “Shpërdorim detyre” dhe “Moskryerje e detyrave nga organet tatimore”.

Aksioni në “Bankers Petroleum”, erdhi pasi kompania, e cila prej më shumë se 20 vitesh nxjerr naftë në Patos-Marinzë, sipas prokurorisë së Fierit ka shmangur gjatë gjithë ekzistencës së saj taksat në vend.

“Bankers Petroleum” krijoi skema mashtrimi për të fshehur të ardhurat, duke deklaruar 20 vite rresht se dilte me humbje, në total 11.7 miliardë lekë, ndërsa gjatë kësaj kohe eksportoi apo shiti 532 miliardë lekë naftë.

Në këtë mënyrë për 20 vite ka shmangur detyrimet tatime, madje përfitonte dhe rimbursim TVSH-je.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds