Përpjekja e TikTok-ut për të përmbysur ligjin që kërkon shitjen apo ndalimin e aplikacionit popullor në SHBA, u rrëzua nga Gjykata e Apelit në Uashington e cila doli me vendimin se legjislacioni për shitjen e tij, është i ligjshëm.

Tani, i vetmi opsion për TikTok-un është që t’i drejtohet Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara. Platforma në pronësi të kompanisë kineze, ByteDance, argumentonte në padi se ligji shkel lirinë e fjalës së garantuar në Kushtetutën amerikane.

 Por gjykata doli në përfundimin se ligji është në përputhje me praktikat dhe rregulloret që janë në fuqi për një kohë të gjatë dhe që Kongresi amerikan nuk ka pasur për qëllim të shtypë liri të caktuara. Sipas ligjit, që hyri në fuqi në prill, ByteDance ka rreth një vit kohë për të shitur aksionet e tij që ka në TikTok para se aplikacionit të ndalohet në të gjitha dyqanet e aplikacioneve në SHBA.

 Ligji i referohet rrezikut që përmes këtij aplikacioni, Pekini mund të ketë qasje te të dhënat e amerikanëve dhe përmes tyre të ushtrojë ndikim politik. Në padinë e TikTok-ut, mes tjerash u tha se ndarja nga ByteDance, siç propozohet në ligjin amerikan nëse ky aplikacion dëshiron të ketë qasje në SHBA, “thjesht nuk është i mundur: as në aspektin komercial, as në atë teknologjik e as në aspektin ligjor”.

Më 20 janar, republikani Donald Trump do të marrë detyrën e presidentit të SHBA-së. Gjatë fushatës zgjedhore për presidencialet e këtij viti, ai është shprehur kundër ndalimit të platformës. Megjithatë, Trump nuk mund ta tërheqë ligjin.

By admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *