Prokuroria e Fierit, ka sekuestruar 15 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të dy shtetasve N.B dhe E.B (vëllezër) pasi nuk justifikonin pasuritë e tyre të krijuara ndër vite.
NJOFTIMI I PROKURORISE
Prokuroria pranë Gjykatës Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, sekuestron 15 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të shtetasit N.B. dhe familjarëve të tij, i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’.
Në kuadër të hetimeve të vitit 2019, të regjistruar mbi bazën e referimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku kishte dyshime se shtetasi N.B., nëpërmjet familjarëve të tij, ishte përfshirë në veprimtarinë e pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimatrisë kriminale, u konstatua se vlerat monetare të përfituara nga aktiviteti kriminal, ishin investuar në blerje të pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme, të cilat përdoren si mjet për pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale.
Prokuroria, mbështetur në faktet dhe të dhënat e marra, vlerësoi të kryejë verifikime të thelluara mbi pasuritë dhe asetet në pronësi të subjektit të dyshuar dhe pas administrimit të provave të nevojshme, regjistroi kryesisht procedimin pasuror nr.2, datë 13.11.2025.
Nga hetimet u dokumentua fakti se shtetasi N.B, në datë 19.06.2017 është dënuar nga Gjykata e Kurorës së Shrewsbury-t (MB) për prodhim të lëndeve narkotike. Po ashtu, edhe shtetasi E.B. (vëllezër) në datë 19.04.2024 është dënuar nga Gjykata e Kurorës e Leeds-it (MB) për të njëjtën vepër.
Nga verifikimet e deritanishme rezulton se në pronësi të shtetasve N.B, E.B dhe familjarëve të tyre, janë pasuri të paluajtshme apo llogari bankare të cilat nuk justifikohen me të ardhurat dhe këta dy shtetas nuk dokumentojnë origjinën dhe mundësinë ekonomike për fitimin e këtyre pasurive.
Mbëshetur në këto të dhëna, me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier dhe me miratimin e Gjykatës Fier, u vendos sekuestro mbi pasuritë si apartamente, garazhe, sipërfaqe toke në Tiranë dhe Kavajë dhe llogari bankare me shuma të konsiderueshme.
