Papunësia është treguesi më i njohur i tregut të punës. Papunësia në Shqipëri po vjen në rritje, veçanërisht tek moshat e reja, sepse tregu i punës në vendin tonë paraqitet problematik për grupmoshat e reja. Sipas raportit të Institutit të Statistikave, në 3 muajt e parë të vitit 2023, shkalla zyrtare e papunësisë në vendin tonë është 10.9% duke regjistruar rritje me 0.7% kahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2022.
Referuar shifrave të Institutit të Statistikave INSTAT-it, 13% e të rinjve nga 25-29 vjeç as nuk kanë punë dhe as nuk janë në kërkim të një pune, megjithëse e kanë përfunduar ciklin e studimeve dhe janë në moshë për të krijuar një familje.
Në këtë 13%-ësh përfshihen nënat të cilat rrisin fëmijë dhe bëjnë një punë të papaguar në shtëpi, punojnë vetëm bashkëshortët. Përfshihen edhe individët të cilët kanë zgjedhur për shkak të stilit të jetesës dhe kushteve ekonomike të familjes që të mos punojnë. Punojnë prindërit për ta.
Pjesa tjetër është ajo që punon në të zezë, punë të ndershme apo të paligjshme. Kjo është tabloja e 13%-shit. Ka disa arsye pse kemi këtë shifër. E para është se një pjesë e mirë e kësaj moshe kanë ikur emigrantë. Dhe nëse emigrantët do të ishin këtu kjo shifër do të ishte 17 apo 20%. Arsyeja tjetër është që brezat po pakësohen për shkak të plakjes së popullsisë. Ekziston edhe një grup njerëzish që zgjedhin të rrinë pa punë, pasi sektorët që ofrojnë vende pune kanë lodhje të madhe dhe pagesë të ulët në kufijtë e minimales
Anketa më të hollësishme mbi zhvillimet në tregun e punës udhëzojnë se modeli ekonomik në të cilën bazohet vendi ynë nuk ofron vende pune atraktive për të rinjtë.
Dhe realiteti është që ne sot jemi detyruar të importojmë punëtorë nga jashtë.