Paketa e re fiskale, që do të sjellë ndryshime në ligjin për TVSH-në, ka nisur të konfuzojë fermerët lidhur me mënyrën e zbatimit.

Fermerët me NIPT po e kuptojnë gabim funksionimin e skemës, duke pretenduar se kompensimi do të jetë sa 10% e vlerës së autofaturave të lëshuara nga përpunuesit.

Por ky pretendim i fermerëve nuk është i saktë, pasi autofaturat që do të dorëzohen në adminsitratën tatimore synojnë vetëm të dokumentojnë formalizimin e shitjeve mes fermerit dhe grumbulluesit. Pas dokumentit të formalizimit të shitjeve, me skemën e re fermeri do të marrë mbrapsht 10% e TVSH-së që ka paguar kur ka blerë plehrat kimikë, farat, pesticidet dhe fidanët.

Për të përfituar, fermeri duhet të dorëzojë kërkesën pranë administratës tatimore, së bashku me autofaturat e lëshuara nga përpunuesi, grumbulluesi apo një agroturizëm i certifikuar që tregojnë NIPT-in e tij dhe numrin e llogarisë bankare.

Zoti Eduart Sharka, kontabël i miratuar në një postim në facebook shkruan se kjo është një masë e mirëpritur për fermerët, por forma ligjore e zgjedhur është e gabuar. Kompensimi 10% duhet të ishte shpallur si subvencion direkt, i lidhur me faturat tatimore të shitjes, pikërisht siç fermerët e kanë kërkuar prej vitesh.

Një masë e tillë, vazhdon Sharka duhet miratuar me vendim qeverie, jo duke e vendosur brenda ligjit të TVSH-së, i cili është një ligj teknik që funksionon vetëm nëse ruan neutralitetin dhe proporcionalitetin.

Futja e subvencionit në ligjin e TVSH-së krijon konfuzion, deformime dhe trajtime të pabarabarta, thotë ai.

Kërkesa për kompensim do të në rrugë postare ose në rrugë elektronike dy herë në vit. Brenda datës 31 Dhjetor, për furnizimet e kryera gjatë periudhës Janar-Qershor të vitit përkatës dhe brenda datës 30 Qershor, për furnizimet e kryera gjatë periudhës Korrik-Dhjetor të vitit paraardhës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *