Rebelët Huthi të Jemenit, që mbështeten nga Irani, thanë të premten se lëshuan një raketë mbi aeroportin Ben Gurion të Izraelit, ndërsa ushtria izraelite raportoi se e kishte rrëzuar atë. Sulmi i fundit i pretenduar nga Huthit, vjen pas sulmeve izraelite që goditën aeroportin ndërkombëtar të Sanaa-s dhe objektiva të tjera në zonat e kontrolluara nga rebelët e Jemenit të enjten.
Në një deklaratë Huthi tha se ata lëshuan gjithashtu drone mbi Tel Aviv dhe mbi një anije në Detin Arabik, duke deklaruar se “agresioni izraelit vetëm do të rrisë vendosmërinë për të vazhduar mbështetjen e popullit palestinez”. Ushtria izraelite më herët të premten tha se “një raketë që u lëshua nga Jemeni u kap para se të kalonte në territorin izraelit”.
Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm mbi sulmet e tjera të pretenduara nga Huthit. Të enjten, avionët luftarakë izraelitë sulmuan aeroportin e Sanaas, ku kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha se ishte duke pritur për një fluturim. Katër persona humbën jetën në sulmin në aeroport dhe rreth 20 udhëtarë dhe pjesëtarë të stafit u plagosën, tha të premten një zyrtar Huthi.
Sulmet kundër atyre që ushtria izraelite i quajti “objektivat ushtarake” rebele lanë gjithsej gjashtë persona të vdekur, sipas mediave Huthi, dhe erdhën një ditë pasi rebelët pretenduan sulme me raketa dhe dron mbi Izrael. Aeroporti ndërkombëtar i Sanaas rifilloi shërbimet në orën 10:00 të së Premtes, tha në një konferencë shtypi një zyrtar. Kulla e kontrollit të aeroportit u godit drejtpërdrejt, së bashku me sallën e ngarkuar të nisjeve.
