Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar ashpër në lidhje me mungesën e debatit për programin qeverisës të qeverisë ‘Rama 4’. Në një reagim për Dosja.al, delegacioni i BE-së Parlamenti duhet të jetë një forum për debat konstruktiv dhe të promovojë një kulturë dialogu. 

Ndërkohë që në përgjigje theksohet se objektivi i anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian është një ambicie ndërpartiake. Sipas BE-së debati mbi programin e Qeverisë së re për katër vitet e ardhshme do të kishte qenë një mundësi e rëndësishme për të trajtuar pikëpamje dhe qasje të ndryshme.

Mesazhi i Delegacionin të BE-së

Parlamenti duhet të jetë një forum për debat konstruktiv, ku diskutohen politika dhe paraqiten pikëpamje alternative, duke promovuar kështu një kulturë dialogu. Në kontekstin e anëtarësimit, Parlamenti ka një rol vendimtar për të luajtur në debatin dhe miratimin e reformave legjislative që lidhen me BE-në, duke vlerësuar ndikimet e tyre dhe duke siguruar që ato të bazohen në një proces gjithëpërfshirës dhe transparent.

Debati mbi programin e qeverisë së re për katër vitet e ardhshme do të kishte ofruar një mundësi të rëndësishme për të diskutuar pikëpamje dhe qasje të ndryshme ndaj objektivit të anëtarësimit, i cili mbetet një ambicie ndërpartiake. Është për të ardhur keq që publiku shqiptar u privua nga mundësia për t’u informuar siç duhet dhe plotësisht rreth programit të Qeverisë dhe për të dëgjuar përfaqësuesit e saj të zgjedhur të diskutojnë përmbajtjen e tij, në përputhje me dispozitat e ligjit.

Delegacioni i BE-së në Tiranë do të vazhdojë angazhimin e tij për të forcuar rolin e parlamentit si një institucion që promovon dhe mishëron dialogun e hapur dhe gjithëpërfshirës politik. Ne besojmë se të gjitha partitë politike të Shqipërisë dhe të gjithë sektorët e shoqërisë do të jenë në gjendje dhe të gatshëm të luajnë rolin e tyre në kontributin drejt përparimit të Shqipërisë për përmbushjen e kërkesave të anëtarësimit në BE.

Çfarë ndodhi në seancën e djeshme?

Programi qeverisës i Partisë Socialiste për 4 vitet e ardhshme u miratua në mënyrë të njëanshme në Kuvend. Kjo për shkak të debateve që nisën, për fjalën që mbajti produkti i Inteligjencës Artificiale ‘Diella’ si Ministre. Deputetët demokratë janë ngritur në këmbë duke kundërshtuar dhe kjo ka sjellë në ndërprerje të seancës plenare për 5 minuta. Në rifillimin e Kuvendit, kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka kërkuar fjalën për procedurë, por nuk është lejuar nga kryetari i Kuvendit. Me urdhërin e kryeministrit Rama, maxhoranca ka kaluar në votim programin qeverisës si dhe dekretet e tij./Dosja.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *