Kryeministri Rama ia delegoi ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimaj një interpelancë të thirrur nga deputetja demokrate, Jorida Tabaku për Korporatën e Investimeve.
Opozita reagoi për mungesën e Kryeministrit në seancë duke thënë se kreu i qeverisë nuk mund ta delegojë interpelancën.
Por sipas kreut të Kuvendit, Niko Peleshi, kjo është një praktikë e bërë edhe më parë.
Debati:
Bardhi: Ne kemi kërkuar interpelancë me Kryeministrin, jo me ministren. Ne duam kryeministrin në interpelancë. Po të donim ministren, kishim kërkuar interpelancë me ministren. Kryeministri duhet të vijë dhe të japë llogari në Kuvend. Kryeministri nuk e delegon dot këtë të drejtë, e thotë kushtetuta këtë. Rama e ka për detyrë këtë. Mos u tallni me Kuvendin.
Peleshi: Kjo është një praktikë e bazuar në ligj dhe traditë shumë vjeçare. Në emër të kryeministrit, kur çmohet e arsyeshme, interpelanca delegohet te një ministër tjetër i kabinetit. Nuk është e vërtetë që jemi në shkelje të Kushtetutës dhe nuk është as hera e parë dhe as e fundit.
Bardhi: E keni bërë qesharak Kuvendin.
Peleshi: Po bëj më të mirën për të mos e bërë qesharak.
