Vendimi i qeverisë për të fiskalizuar sektorin e prodhimit të qumështit nga ana e fermerëve të vegjël, i gjen këta të fundit të habitur!
Përdorimi i kuponave tatimorë nga ana e fermerëve është i pakonceptueshëm. Sasitë e vogla të qumështit që fermerët shesin çdo ditë nëpër grumbullues që janë firma të mëdha ose baxho artizanale nuk kanë prej vitesh një sistem taksimi. Fermerët nuk marrin kupon tatimor dhe detyrimisht nuk japin të tillë.
Të pyetur, fermerët shprehen se po punojnë për mbijetesë dhe ky sektor është drejt shuarjes.
Çmimi i ulët i qumështit me 50 deri në 55 lekë për litër si dhe kostoja e madhe e ushqimit për lopët, dhitë dhe delet po e bëjnë këtë sektor jo vetëm jofitimprurës, por edhe barrë të madhe familjare. Me blegtorinë aktualisht merren vetëm moshat e treta, pasi pjesa më vitale e fuqisë punëtore e ka braktisur prej vitesh.
