Qeveria e Kosovës në një mbledhje të premten e ka risjellë projektligjin për çmimet tavan. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ky ligj eviton keqpërdorimet në emër të krizave dhe mbron lirinë e tregut nga abuzimi.
Qeveria e Kosovës ka miratuar sot Projektligjin për masat e përkohshme për produktet themelore, i njohur si Projektligji për çmimet tavan.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se me miratimin e Projektligjit për çmimet tavan nuk po pengojnë rritjen e askujt, por po evitojnë keqpërdorimin në emër të krizave, fryrjen artificiale të çmimeve.
“Po e ri-sjellim për miratim këtë projektligji që vjen si përgjigje e domosdoshme ndaj një realiteti që qytetarët tanë e kanë përjetuar, rritjen e papritur të çmimeve, paqartësi në treg dhe mungesë e mekanizmave efektiv për mbrojtje… Me këtë projektligj ne nuk po hyjmë në tregun e lirë, por përkundrazi po e mbrojmë lirinë e tregut nga abuzimi”.
Ai tutje shtoi se ky Projektligj vendos një balancë të domosdoshme ndërmjet funksionimit të lirë të tregut dhe përgjegjësisë të shtetit për të mbrojtur interesin publik në situata të jashtëzakonshme.
Sipas tij, ky Projektligj krijon instrumente të qarta për ndërhyrje të përkohshme, duke shmangur deformimet afatgjate të tregut.
Tutje, kryeministri i vendit tha se ky Projektligj po ashtu garanton furnizim dhe çmime të përballueshme për produkte bazë në kohë krize, parandalon spekulimet dhe fitimet e pajustifikuara në kurriz të qytetarëve dhe më tej siguron reagim të shpejtë institucional kur tregu destabilizohet.
“Po e risjellim edhe një ligj jetik për shëndetin e qytetarëve dhe shëndetësinë publike. Edhe ky ligj po ashtu ka qenë i sfiduar nga opozita në Kushtetuese. Sot në rend dite e kemi edhe projektligjin për sigurime shëndetësore”, shtoi Kurti.
Projektligjin e ka prezantuar ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila.
“Sa i përket vendimmarrjes, për këto masa parashikohet themelimi i një bordi të pavarur për masat e përkohshme për rregullimin e çmimeve, i cili do të emërohet nga Kuvendi dhe do t’i raportojë atij. Në projektligj janë përcaktuar edhe kushtet për emërimin e anëtarëve të bordit, kompetencat e tij, si dhe procesi i vendimmarrjes”.
Ndryshe, ky ligj ishte miratuar më parë edhe në Kuvendin e Kosovës, por ishte dërguar nga opozita në Gjykatën Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese e kishte shpallë antikushtetues ligjin për çmimet tavan për produktet bazë, i cili ishte dërguar në gjykatë nga deputetë të opozitës./fatos Shala
