Qyteti i Lushnjës prej kohësh është kthyer në një vend ku zbrazen kamionët e ngarkuar me qenë endacakë të mbledhur në qytetet e tjera të Shqipërisë.
Jashtë kamerës qytetarët thonë se kanë parë një kamioni që i ka sjellë qentë në mëngjes tek zona e plasmasit.
Në rrugët e Lushnjës, qentë endacakë janë kthyer prej kohësh në një shqetësim serioz për banorët. Tufat e tyre enden lirshëm nëpër lagje duke u kthyer në rrezik për qytetarët sidomos për fëmijët dhe të moshuarit, pasi janë të pavaksinuar dhe mund të përhapin sëmundjet që ata mbartin. Dje u sulmua një fëmijë 12-13 vjeç, por fatmirësisht u ndihmua nga qytetarët dhe nuk u kafshua nga qentë.
Nga vëzhgimi që bëmë sot tufa e qenve ndodhej në zonën e përroit. Ata janë të shumtë në numër duke trembur qytetarët me sjelljet e tyre agresive, sidomos natën.
Shqetësues është fakti që shtetasit italianë që vijnë në Lushnjë për turizmin dentarë i afrojnë, i përkëdhelin ndërkohë që qentë janë të pavaksinuar duke rrezikuar shëndetin e tyre.
Bashkia e Lushnjës nuk na jep asnjë informacion sesi do të trajtohet problematika e qenve dhe çfarë masash do të merren për ta. Në pamje të parë duket se bashkia ka vendosur t’i lerë të shëtisin të lirë dhe të rrezikojnë jetët e qytetarëve.
