Qindra studentë serbë u përleshën me policinë të martën gjatë një proteste kundër një kontrolli policor në zyrat e Universitetit të Beogradit, gjë që shkaktoi tensione midis autoriteteve dhe aktivistëve antiqeveritarë që kanë shpërthyer rregullisht për më shumë se një vit.

Turmat në qendër të qytetit të Beogradit u përleshën me policinë, e cila përdori shkopinj gome për të shpërndarë demonstruesit që brohorisnin “qen” dhe “tradhtarë”, sipas një dëshmitari të Reuters. Policia tha se kontrolli në zyrat e Universitetit të Beogradit ishte pjesë e një hetimi për vdekjen e një studenteje 25-vjeçare, të premten e kaluar, pasi ra nga një dritare në një ndërtesë fakulteti aty pranë.

Rektori i Universitetit Vladan Djokic më vonë i tha turmës së protestuesve se policia hyri në ndërtesë pa një shpjegim të vlefshëm ligjor duke kërkuar dokumente dhe duke sekuestruar kompjuterat.

“Mund të bastisni ambientet e universitetit, por nuk mund të bastisni ndërgjegjen e njerëzve”, i tha ai turmës që brohoriste.

Dragan Vasiljevic, drejtor i policisë serbe, tha se oficerët po vepronin me urdhër gjykate kur hynë në zyrat e universitetit për të kërkuar prova në lidhje me vdekjen e studentes.

Ai tha në një konferencë për shtyp në Beograd se policia kishte gjetur fishekzjarre, radio, maska gazi, banderola dhe furnizime të ndihmës së shpejtë gjatë kontrollit.

Protestat antiqeveritare kanë përfshirë Serbinë që nga dhjetori i vitit 2024, një muaj pasi 16 persona vdiqën në shembjen e një tendë në një stacion hekurudhor në qytetin verior serb të Novi Sadit. Protestuesit dhe drejtuesit e opozitës kanë akuzuar presidentin populist serb Aleksandar Vuçiç dhe aleatët e tij për korrupsion të përhapur, lidhje me krimin e organizuar, dhunë kundër kundërshtarëve politikë dhe shtypje të lirise të medias.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds