Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në kantierin e ndërtimit të ujëmbledhësit të kanalit të Bllacës në Bulqizë, ku një 68-vjeçar i cili ushtronte profesionin si mekanik ka humbur jetën gjatë ushtrimit të detyrës.
Si pasojë e këtij incidenti, është nisur procedim penal ndaj drejtuesit teknik të subjektit ndërtues, i dyshuar për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.
Njoftim i Policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, për shtetasin A. H., 70 vjeç, banues në Tiranë, drejtues teknik i subjektit që kryen punimet në kantierin e ndërtimit të ujëmbledhësit të kanalit të Bllacës, pasi dje, gjatë punës, është dëmtuar shtetasi A. P., 68 vjeç, banues në Tiranë, mekanik në këtë subjekt, i cili për pasojë ka humbur jetën në spital.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
