Tregu i punës vijon të shfaqë përmirësime të qëndrueshme, duke reflektuar rritje të punësimit dhe ulje të papunësisë, sipas raportit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë për tremujorin e katërt.

Të dhënat më të fundit tregojnë se punësimi në sektorin privat jobujqësor është rritur me 3,4%, ndërsa shkalla e papunësisë ka zbritur në nivelin 8,5%, një nga treguesit më të ulët të viteve të fundit.

Paralele me këtë, paga mesatare në sektorin privat është rritur me 9,5%, duke forcuar fuqinë blerëse të konsumatorëve dhe duke ndikuar pozitivisht në aktivitetin ekonomik.

Banka e Shqipërisë vlerëson se tregu i fortë i punës ka mbështetur konsumin e familjeve dhe e ka orientuar ekonominë drejt një ritmi të qëndrueshëm rritjeje.

Në perspektivë, rritja ekonomike pritet të mbështetet nga kërkesa e sektorit privat për konsum, investime dhe lidhjet e tij të forta me sektorët e tjerë të ekonomisë pritet të vijojnë të gjenerojnë ndikim pozitiv në tregun e punës.

“Gjendja e qëndrueshme financiare e familjeve dhe bizneseve, së bashku me kushtet e favorshme të financimit, mbeten faktorë kyç që do të vazhdojnë të nxisin punësimin dhe aktivitetin ekonomik në periudhën e ardhshme”, thekson BSH-ja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *