Janë hapur sot aplikimet për skemën e dhënies së kompensimit me qëllim mbulimin e shtesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për punonjësit me pagë minimale.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj ka publikuar në faqen e saj në facebook njoftimin për aplikimet për mbështetje për biznesin përmes kompensimit financiar të kontributeve, si pasojë e rritjes së pagës minimale.
Periudha e kompensimit është Janar – Shtator 2026. Aplikimi bëhet online përmes e-Albania: “Kërkesë për kompensim financiar të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”
Ndërkohë, në Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive është e publikuar lista me NIPT e kompanive përfituese, ku janë rreth 36 mijë të tilla (shiko listën në fund).
Sipas vendimit të qeverisë, që u publikua në mars, kompensimi financiar jepet në masën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore të punëdhënësit, 16.7%, llogaritur mbi diferencën e pagës së çdo punonjësi me pagë bruto, në fashën nga 40 000 lekë deri në 49 999 lekë në shtator 2025, me pagën 50 000 lekë.
Kompensimi financiar jepet mbi shumën mesatare të fondit që do të përfitonte për punonjës, në rast mosreduktimi të numrit të punonjësve,
Kompensimi do të mbulojë këtë shtesë për periudhën janar–shtator 2026.
Aplikimet për kompensim do të kryhen nëpërmjet platformës e-Albania. Sipas vendimit, subjektet aplikojnë në mënyrë elektronike nëpërmjet portalit “e-Albania” për periudhën që kërkojnë kompensim, duke filluar nga data 1 prill 2026 deri më 31 tetor 2026.
Në shkallë vendi, paga minimale nga 1 janari 2026 u rrit me 10 mijë lekë, duke arritur në 50 mijë lekë.
