Kryedemokrati Sali Berisha në nisjes të konferencës për shtyp deklaroi se ka një mirëkuptim total nga shqiptarët dhe njerëzimi për kryengritjen paqësore të opozitës!
FJALA E BERISHËS
Ka një vendosmëri të papërmbajtur për t’i shkuar gjer në fund këtij misioni. Siç e dini, kryengritja paqësore e 20 shkurtit paraqiti para çdo shqiptari dyshen Rama-Balluku më të nxirë se kurrë ndonjëherë.
Por kjo nuk ndodhi vetëm para shqiptarëve. I rrufeshëm ka qenë pasqyrimi i kësaj ngritje në mediat më të mëdha të botës.
Nga Zelanda e Re në Alaskë, nga Poli i Veriut në Polin e Jugut, në të katër anët e globit, pas Ajatollahëve të Teheranit, figurat më të nxira në mediat botërore kanë qenë Edi Rama dhe Lubi Balluku.
Kjo është e vërteta. Ka pasur një mirëkuptim të plotë dhe total nga mbarë shqiptarët dhe mbarë njerëzimi për kryengritjen paqësore të opozitës shqiptare më 20 shkurt.
Ka një vendosmëri të papërmbajtur për t’i shkuar gjer në fund këtij misioni me rëndësi të jashtëzakonshme për fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Largimin e këtij binomi famëzi nga qeverisja.
Ju jeni dëshmitarë se si Edi Rama ka bërë ditë të tëra negociata sekrete të fshehtë për lëkurën e tij dhe të bashkëshortes së tij në shkëmbim të Lubisë.
Por në qoftë se një marrëveshje e tillë arrihet, ky do ishte kapitullimi përfundimtar i drejtësisë. Kjo do të ishte marrëveshja e asgjësimit përfundimtar të institucionit të akuzës.
Unë jam i vetëdijshëm që Lubi Balluku ka shkelur ligjin dhe ka vjedhur, por gjithçka ka bërë, e ka bërë me urdhër të Edi Ramës dhe si aksionere në minorancë me Edi Ramën.
Se ti kujtove se thashë minorene, të shkon mendja tek Epstein direkt, se ajo e Ergys Agasit është një lloj Epsteini shqiptar. Pra, gjithçka është bërë për lëkurën e tij, për familjen e tij.
Sot në parlament zhvillohet seanca e shtyrë 3 muaj, shtytje me të cilën Lubisë iu dha mundësi të shkatërrojë mijëra e mijëra dokumente, të intimidojë, të kërcënojë me dhjetëra dëshmitarë.
Ajo, aty nuk është. Komshia thotë prej katër ditësh nuk e kam parë të hyjë në shtëpinë e saj. Tjetër, nuk mund të them. Një gjë i them, edhe prapa diellit të shkosh, do të gjejmë dhe do të sjellim në Shqipëri.
Prandaj, mos tento të largohesh nga Shqipëria. Asaj dhe çdo njeriu tjetër. Ndërkohë e dini, e shtuna është dita e kryengritjes paqësore.
Qytetarët mezi e presin për të shprehur zemërimin, revoltën e tyre, urrejtjen e tyre ndaj hajdutëve. Dhe, do të jetë një revoltë, një kryengritje do të thosha më e fuqishmja që ka njohur vendi.
Nuk do jetë e llojit të atyre që keni parë. Tani, kryengritja kalon në fazën e diversifikimit të aksioneve dhe veprimtarive të saj. Për të gjitha do informoheni në përputhje me vendimet që do merren.
Por e shtuna është dita e triumfit të opozitës, e triumfit të shqiptarëve mbi hajdutët.
