Policia e Tiranës ka vënë në pranga katër persona dhe ka nisur procedimin penal ndaj shtatë të tjerëve pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së opozitës një ditë më parë përpara Kryeministrisë.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë tubimit të zhvilluar nga Partia Demokratike në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, disa protestues hodhën lëndë djegëse dhe kundërshtuan punonjësit e rendit, duke shkaktuar lëndime tek tre efektivë të policisë, të cilët morën trajtim mjekësor dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Nga hetimet ka rezultuar se gjithsej 11 persona janë përfshirë në veprime të kundraligjshme. Në flagrancë u arrestuan shtetasit A. K., 39 vjeç, E. S., 36 vjeç, Xh. D., 38 vjeç dhe A. H., 38 vjeç, ndërsa procedimi penal u nis ndaj shtetasve B. F., E. M., M. M., Sh. D., K. P., R. B. dhe një 16-vjeçar.
Përveç tyre, materiali hetimor u referua edhe në Prokurori për Ervin Minarollin, sekretar organizativ i Partisë Demokratike, për moszbatim të detyrimeve ligjore për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e tubimit.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Hodhën lëndë djegëse (molotovë) dhe kundërshtuan punonjësit e Policisë, gjatë tubimit të zhvilluar dje, identifikohen 11 shtetas. Arrestohen 4 prej tyre, procedohen penalisht 7 të tjerët.
Procedohet penalisht dhe përfaqësuesi organizativ i subjektit politik që zhvilloi tubimin, pasi nuk ka zbatuar detyrimet për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e tubimit, në bazë të ligjit Nr. 8773, “Për tubimet”, neni 10.
Gjatë tubimit u dëmtuan 3 punonjës policie.
Më datë 22.12.2025, rreth orës 18:00, subjekti politik Partia Demokratike zhvilloi një tubim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë. Gjatë zhvillimit të tubimit, disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit që ishin të planëzuar me shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe kanë hedhur drejt tyre lëndë djegëse (molotovë).
Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 11 shtetas që kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në vijim:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. K., 39 vjeç, E. S., 36 vjeç, Xh. D., 38 vjeç dhe A. H., 38 vjeç;
-nisi procedimi penal për shtetasit: B. F., E. M., M. M., Sh. D., K. P., R. B. dhe një 16-vjeçar.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. M., me detyrë sekretar organizativ i subjektit politik Partia Demokratike, pasi në cilësinë e përfaqësuesit organizativ të këtij subjekti, nuk ka zbatuar detyrimet për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e tubimit, në bazë të ligjit Nr. 8773, “Për tubimet”, neni 10.
3 punonjësit e Policisë që mbetën të dëmtuar gjatë tubimit morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kënë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
