Opozita e bashkuar mblodhi mbrëmjen e së martës mijëra  demokratë përpara selisë së qeverisë, në një protestë, e cila siç deklaroi ish Kryeministri Sali Berisha, “inauguron sot misionin tonë në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë, betejën pa kthim të mosbindjes civile kundër diktaturës së dytë të kryeministrit Edi Rama”.

Në përfundim të fjalës së zotit Berisha, pati edhe incidente, shishe të shumta me lëndë djegëse, copa guri nga disa vazo që u thyen nga protestuesit u hodhën drejt godinës së qeverisë. Përpjekjet për të çarë gardhin metalik, nuk shkuan më tej, dhe nuk u rregjistruan përplasje me policinë e cila nuk ndërhyri për asnjë moment.

Zyra e Avokatit të Popullit njofton se në përfundim të protestës, janë shoqëruar në komisariate 11 persona deri në orën 22.00, nga të cilët, njëri prej tyre “pretendon se është dhunuar gjatë kësaj proteste nga policë civilë, në momentin e ndalimit. Shtetasi A.M kishte shenja të dukshme lëndimi në fytyrë, enjtje dhe mavijosje në syrin e majtë dhe Avokati i Popullit i mori një ankesë e cila do të trajtohet në vijim”, thuhet në njoftim.

Zoti Berisha ju drejtua protestuesve përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë nga shtëpia e tij, pasi prej fundit të vitit të kaluar ai është në arrest shtëpie,.

Opozita zgjodhi të protestonte në një ditë simbol për historinë e pluralizimit në Shqipëri, ditën kur 33 vjet më parë në Tiranë u rrëzua busti i diktatorit Enver Hoxha. Duke hequr paralele me këtë datë zoti Berisha theksoi se mesazhi që përcillet është se, “populli opozitar do i rezervojë diktaturës së dytë, domethënë narkoshtetit të Edi Ramës, fatin që meriton, fatin që i rezervuam diktaturës komuniste 33 vite më parë”.

Pas këtij mitingu që vulosi bashkimin e demokratëve pritet  aksioni i ardhshëm i opozitës.

[lazy-load-videos-and-sticky-control id=”yzbE0E9egGY”]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *