Ndërtimet pa leje do të konfiskohen nga pushteti vendor dhe do ti kalojnë për administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, përmes akteve administrative, pa qenë i nevojshëm një vendim gjykate.

Qeveria ka nxjerrë për konsultim publik ndryshime ligjore të ligjit për administrimin e ndërtimeve pa leje, por edhe ligjit për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, duke ia deleguar të gjithë kompetencat kësaj agjencie.

Sipas ndryshimeve ligjore të publikuara ne konsultim publik parashikohet jo vetëm dhënien me qira, por edhe shitja  përmes ankandit publik të pronave të konfiskuara si nga bota e krimit, ashtu edhe atyre të ndërtuara pa leje.

Duket se qeveria kërkon të ashpërsojë edhe më tej masat ndaj abuzuesve, duke u hequr të drejtën e parablerjes, duke u lënë si mundësi vetëm pjesëmarrjen në ankandin publik, vlera fillestare e të cilit do të nisë në bazë të çmimit të tregut.

Po ashtu në ndryshime ligjore shfuqizohet mundësia e dhënies së pronave të konfiskuara me çmimin simbolik 1 euro.

Këto ndryshime ligjore synojnë të gjenerojnë të ardhura për buxhetin e shtetit dhe fonde të posaçme për administrimin e këtyre pronave, përfshirë edhe përfundimin e punimeve të ndërtimeve të papërfunduara.

Në funksion të administrimit të këtyre pasurive, krijohet edhe fondi i posaçëm i dedikuar për ndërtimet pa leje i cili do të shërbejë për mirëmbajtjen, zhvillimin dhe përdorimin e tyre efikas

Një tjetër risi në ndryshimet ligjore ka të bëjë edhe me kriptomedhat e sekuestruara dhe konfiskuara, të cilat do t’i kalojnë për menaxhim Agjencisë për administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara

Ligji vendos rregulla të posaçme për administrimin dhe shitjen e tyre, duke synuar rritjen e transparencës dhe shmangien e humbjeve financiare.

Me ndryshimet e reja, Agjencia për administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara do të kryejë vetë procedurat e shitjes së pasurive të konfiskuara, pa ndërmjetësimin e institucioneve të tjera, çka pritet të shkurtojë afatet, të reduktojë burokracitë dhe të rrisë efikasitetin financiar

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *