Sot, më datë 24 korrik 2025, që prej orës 09:30, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan po zhvillohet seanca gjyqësore për vlerësimin e masës së ndalimit dhe arrestit në flagrancë ndaj shtetasve Denis Hasalla dhe Bledar Çullhaj, të dy nën hetim.

Denis Hasalla, 35 vjeç, me detyrë Drejtor Kabineti dhe mbikqyrës i menaxhimit të mbetjeve urbane në Bashkinë e Peqinit dhe vëllai i deputetit të Partisë Socialiste, Saimir Hasalla, u arrestua mëngjesin e fillimjavës gjatë një operacioni që u zhvillua në disa qytete të qarkut të Elbasanit ku u ushtruan 14 kontrolle.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi municioni luftarak. Operacioni u krye nga Strukturat për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në zbatim të një vendimi të Gjykatës për lejimin e kontrolleve në kuadër të një procedimi penal të nisur që prej vitit 2024. Ky procedim është i lidhur gjithashtu edhe me hetimet mbi abuzimet financiare të kryera nga kompania “Eco Elb”.

Në kuadër të të njëjtit operacion u arrestua edhe shtetasi Bledar Çullhaj, 36 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një armë e ftohtë. Seanca e sotme gjyqësore pritet të përcaktojë masat e mëtejshme ndaj dy të hetuarve, ndërsa hetimet mbi këtë çështje vijojnë.Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës detyrim
paraqitje për Hasallën dhe Çullhajn.

Në fokus të këtij hetimi janë gjithashtu disa zëvendëskryetarë bashkish të qarkut Elbasan si dhe drejtorë juridikë dhe të Financave, të cilët dyshohet se kanë pasur rol aktiv në marrëdhëniet institucionale dhe financiare me kompaninë që menaxhon mbetjet urbane. Prokuroria ka përfunduar fazën e marrjes në pyetje të 43 personave, të cilët janë thirrur për të dhënë shpjegime lidhur me funksionimin dhe menaxhimin financiar të inceneratorit. Hetimi është regjistruar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Keqmenaxhimit të mbetjeve”, ndërsa burime pranë Policisë së Elbasanit bëjnë me dije se hetimi ka avancuar ndjeshëm.

Pritet që në ditët në vijim të ketë masa sigurie edhe ndaj disa zyrtarëve lokalë, për shkak të dyshimeve për abuzim me fonde publike në bashkëpunim me kompaninë “ECO-ELB”.Hetimi është konsideruar voluminoz dhe kompleks dhe është hapur në vitin 2024 dhe aktualisht ka kaluar në fazën e analizës së marrëdhënieve institucionale dhe financiare mes kompanisë “ECO-ELB” dhe tetë bashkive të qarkut Elbasan.

Bëhet fjalë për pagesa të kryera për katër lloje shërbimesh, përfshirë dhe procesin e djegies së mbetjeve, i cili sipas hetimeve është kryer pjesërisht, për periudha të kufizuara, ose nuk është kryer fare, ndonëse pagesat janë realizuar rregullisht.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds