Duket se Paul Pogba ka prekur fundin e karrierës së tij. Nga një futbollist 100 milionë euro, sot ai nuk mund të luajë futboll profesionist dhe mund ta mbyllë karrierën në mënyrën pa lavdi. Prokuroria Kombëtare Anti-Doping në Itali ka kërkuar pezullim prej 4 vitesh për Paul Pogba.

Pra, asnjë marrëveshje nuk është arritur, siç ishte përfolur ditët e fundit, për francezin e Juventusit, i cili rezultoi pozitiv me testosteron sintetik në testin e kryer nga laboratori antidoping në Romë, pas ndeshjes Udinese-Juventus të luajtur më 20 gusht.

I pezulluar, si masë paraprake më 12 shtator, mesfushori bardhezi gjithashtu rezultoi pozitiv në kundër-analizën, i quajtur ndryshe testi B, rezultatet e të cilit u morën më 6 tetor. Kërkesa për pezullim 4-vjeçar korrespondon me sanksionin e parashikuar për doping, nëse nuk ka marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Me sa duket, lojtari ka refuzuar pranimin e fajësisë dhe marrëveshjen përkatëse, në bazë të cilës do të qëndronte 2 vite larg fushave të blerta. Kësisoji, Pogba do të shkojë në gjyq, përpara Gjykatës Kombëtare Anti-Doping.

Juventus po pret vetëm fundin e gjyqit për të ndëprerë gjithçka më francezin. Nëse Pogba dënohet për 4 vjet, në përfundim të pezullimit do të ishte 35 vjeç dhe vështirë të ishte në gjendje të luante në nivele të larta.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *