Prokuroria pranë Gjykatës së Fierit ka sekuestruar një sipërfaqe prej 276.5 hektarësh tokë në fshatin Hasturkas, Libofshë, e klasifikuar si “kullotë” dhe “pyll”, pas dyshimeve të forta se është përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara.

Hetimet kanë çuar në referimin e dy veprave penale: “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Sipas hetimeve, një shtetas ka përfituar pronën me anë të dokumenteve të falsifikuara, përfshirë një vendim të dyshimtë të ish-Komunës Libofshë të datës 22.02.2008. Dokumentet, përfshirë vendimin nr.5 të datës 26.09.1999 dhe vërtetime të tjera, janë verifikuar si të falsifikuara, bazuar në ekspertiza që kanë zbuluar mungesën e firmave dhe shkrimeve origjinale të anëtarëve të Komisionit të Pronësisë.

Veçanërisht, vendimi për ndarjen e tokës është datuar në një të dielë – ditë pushimi zyrtare – çka e bën të dyshimtë ligjshmërinë e tij. Pasuria është më pas ndarë në disa pronarë përmes kontratave shitje dhe dhurimi.

Në vijim të hetimeve, Prokuroria ka kërkuar sekuestrimin e plotë të pasurisë prej 276.5 hektarësh në zonën kadastrale 1940 të fshatit Hasturkas. Kërkesa është miratuar nga Gjykata dhe urdhërat për zbatim janë tashmë në fuqi.

Prokuroria e Fierit thekson se mbetet e angazhuar në prioritet për goditjen e pasurive me prejardhje të paligjshme dhe ndëshkimin e çdo tentative për pastrim parash apo përvetësim prone përmes falsifikimeve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds