Bazuar në ligjin e tatimeve mbi profesionet e lira, tatimet kanë njoftuar të gjithë personat që klasifikohen si profesione të lira se do të duhet të fillojnë të bëjnë deklarimet mujore si të listëpagesave, ashtu dhe të tatimit mbi të ardhurat personale. Ligji i ri i tatimit mbi të ardhurat, futi në skemë profesionet e lira, të cilat do të duhet të paguajnë nga 1 janari nga 15-23% tatim mbi fitimet e njohura. Më parë, profesionistët e lirë, që ishin regjistruar si biznes i vogël i bënin deklarimet e listëpagesës një herë në tre muaj, kurse tani ata duhet ta bëjnë deklarimin çdo muaj. I njëjti afat, çdo muaj vlen dhe për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi. Afati për dorëzimin e listëpagesës dhe kryerjes së pagesës është data 20 e muajit vijues. Deklarimi i parë është listë pagesa e muajit janar, me afat deri në shkurt 2024. Tatimet paralajmërojnë se nëse nuk respektohen këto afate ligjore, kjo do të përbëjë shkelje tatimore dhe do të dënohen me masë administrative. Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në regjimin e ri tatimor do të përfshihen deri në 29 mijë biznese të profesioneve të lira. Ministria llogarit se deri 90% e totalit të bizneseve (të ndarë sipas 3 kategorive, si: të vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtarë) përfshihen në fashën e të ardhurave vjetore deri në 14 milionë lekë në vit që do të tatohen me normë 15%.

Opozita ka njoftuar se do ta çojë në Gjykatë Kushtetuese Ligjin e ri të tatimeve për profesionet e lira.

[lazy-load-videos-and-sticky-control id=”Q-r3ZkJPBhk”]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *