Presidenti Donald Trump parashtroi kushtet e tij për vazhdimin e përkrahjes amerikane për Ukrainën ndërkohë që filloi përpjekjet diplomatike që synon t’i japin fund sulmit gati tre vjeçar të Rusisë ndaj këtij vendi.
“Po kërkojmë garanci për investimet tona. Ata kanë minerale të rralla, kanë karburante dhe gaz dhe shumë gjëra të tjera. Ne po kërkojmë të sigurojmë paratë tona dhe Ukraina ka rënë dakord me këtë”, tha Presidenti Trump.
I pyetur nga gazetarët nëse do ta ndërpresë ndihmën për Ukrainën, zoti Trump u përgjigj: “Jo, po vazhdojmë. Por duam të sigurojmë investimin tonë”.
Ligjvënësit amerikanë kanë miratuar afro 183 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe për fusha të tjera për Ukrainën që nga shkurti i vitit 2022, sipas një raporti të ri që iu dorëzua Kongresit të mërkurën. Më pak se 40 miliardë dollarë janë aktualisht në dispozicion.
Komentet e Presidentit Trump përmbyllën një ditë të furishme diplomatike që përfshiu telefonata me homologët e tij, rus dhe ukrainas. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi që ai dhe Presidenti Trump kishin patur një bisedë “të gjatë”.
Në një takim të mërkurën me sekretarin e ri amerikan të thesarit mbi një marrëveshje të mundshme ekonomike, Presidenti Zelensky nënvizoi kërkesën kryesore të Ukrainës në planin e saj të paqes – anëtarësimin e Ukrainës në NATO – dhe nevojën e saj për garanci për siguri.
“Kërkoj nga Presidenti Trump të na jap këto garanci sigurie, ta ndihmojë Ukrainën, të na forcojë. Natyrisht, duhet të flasim me Evropën, ngaqë na duhet të kemi një ushtri edhe më të madhe. Aktualisht kemi një deficit buxhetor, por për të patur një ushtri edhe më të madhe, ose të paktën kaq sa e kemi tani, për ta ushqyer dhe për ta armatosur, duhet burime të mëdha. Këto janë fonde që duhet t’i sigurojmë. Këto janë pak a shumë garancitë e sigurisë”, deklaroi zoti Zelensky.
Presidenti Trump tha se do të takohet me Presidentin rus Vladimir Putin në Arabinë Saudite “në një të ardhme jo shumë të largët”.
Ai tha se shpreson që vendimi i Moskës për të shkëmbyer mësuesin amerikan Marc Fogel me një të dënuar rus për krime kibernetike, do t’i hapte rrugë negociatave për t’i dhënë fund luftës.